Papa Françesku pret ortodoksët e Patriarkanës Ekumenike: “Nuk duhet të kemi frikë nga dialogu”
Një takim i rëndësishëm me karakter ekumenik hapi impenjimet e sotme të Papës Françesku, i cili priti, në Vatikan, delegacionin e Patriarkanës ortodokse ekumenike, ardhur në Romë për të marrë pjesë, sipas traditës, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, sot, më 29 qershor. Vërtetësi, ndërmjet mijëra zërave, që nuk përkojnë; shpresë, në një botë ku mungon; paqe, në një Planet, ku ka tepër urrejtje. Këtë përpiqen gjithnjë të dëshmojnë të krishterët, e do të ishte vërtet e bukur, nëse ky kumtim do të bëhej me një zë të vetëm. Me këtë urim kryesor, Papa Françesku, për herë të parë nga zgjedhja në papni, përqafoi përfaqësuesit e Patrikut ortodoks ekumenik, Bartolomeu I. Ishte takimi i tij i parë tradicional, karakteristik për festat e Pajtorëve të të dyja palëve. Kjo udhë nisi që në vitin 1969, vit kur të dyja Kishat u afruan shumë, duke e shpejtuar hapin në udhën e bashkimit të plotë, gjë që i flet qartë mbarë botës: “Kërkimi i unitetit ndërmjet të krishterëve është urgjencë, nga e cila sot, më shumë se kurrë, nuk mund të shmangemi. Në këtë botë, të uritur e të etur për të vërtetën, dashurinë, shpresën, paqen e unitetin, ka rëndësi për vetë dëshminë tonë, të kumtojmë, më në fund me një zë të vetëm, lajmin e gëzuar të Ungjillit e t’i kremtojmë së bashku Misteret Hyjnore të jetës së re në Krishtin”.
E dimë mirë, tha Papa Françesku, se uniteti është në radhë të parë dhuratë e Zotit, e se për të duhet të lutemi me ngulm, por ne të gjithëve, pohoi, na takon detyra t’i përgatisim kushtet, ta lërojmë tokën e zemrave, që ky hir i jashtëzakonshëm të mbijë e të rritet. Papa e vlerësoi shumë si ‘kontribut themelor në kërkim të bashkimit të plotë të katolikëve e ortodoksëve’ punën që po kryen prej vitesh Komisioni i përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik, aktualisht i impenjuar me temën delikate të lidhjes teologjike dhe ekleziologjike ndërmjet parisë e sinodalitetit në jetën e Kishës:
“Është domethënëse që sot mund të reflektojmë së bashku, në vërtetësi e dashuri, mbi këto tematika, duke nisur nga ajo, që na bashkon, pa e fshehur atë që na ndan akoma. Nuk është fjala për një ushtrim thjesht teorik, por për t’i njohur me fund traditat e njëri-tjetrit, për t’i kuptuar e, nganjëherë, edhe për të mësuar prej tyre”.
Për të mësuar, për shembull, pohoi Papa, kuptimin e kolegjialitetit ipeshkvnor dhe traditën e sinodalitetit që, nënvizoi, është tipike në Kishat ortodokse: “Kam besim se përpjekja e reflektimit të përbashkët, reflektim i ndërlikuar e i mundimshëm, do të japë fryt në kohën e duhur. Më ngushëllon mendimi se katolikët e ortodoksët e konceptojnë njëlloj dialogun e nuk kërkojnë të mbyllen vetëm në atë teologjik, për të arritur mirëkuptimin, por bazohen në thellimin e së vërtetës së vetme, që Krishti ia dhuroi Kishës së tij e nuk do të pushojnë kurrë s’u përpjekuri për ta kuptuar mirë e më mirë, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Prandaj nuk duhet të kemi frikë nga takimi e nga dialogu i vërtetë”.
Papa Bergoglio: “I krishteri të jetë durimtar e i paqortueshëm, duke ecur gjithnjë në praninë e Zotit”/Zoti na kërkon të jemi të durueshëm e të patëmetë, duke ecur gjithnjë në praninë e tij. Këtë pohoi sot Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti e zgjedh gjithnjë rrugën për të hyrë në jetën tonë e kjo kërkon durim nga ana jonë, sepse jo gjithnjë bëhet i dukshëm. Në Meshë morën pjesë, ndërmjet tjerësh, një grup nëpunësish të Drejtorisë së Shëndetësisë e Higjienës, shoqëruar nga drejtori, doktor Patricio Poliska. Zoti hyn ngadalë-ngadalë në jetën e Abrahamit. Patriarku ishte 99 vjeç, kur iu premtua se do të kishte një djalë. Ndërsa në jetën e të gërbulurit, hyn menjëherë: ia dëgjon lutjen, e prek e ja, bëhet mrekullia. Papa Françesku u frymëzua nga Leximi i Parë e nga Ungjilli i sotëm, për të shpjeguar si e zgjedh Zoti rrugën e hyrjes në jetën tonë e të popullit të vet. Ndryshon rruga, që zgjedh për Abrahamin, nga ajo për të gërbulurin. Kur Zoti vjen, nuk zgjedh gjithnjë të njëjtën mënyrë. Nuk ka protokoll veprimi i hirit të Zotit, nuk ekziston asnjë rregull. Një herë, shtoi, vepron në një mënyrë, më pas, në një mënyrë tjetër, por për të vepruar, vepron gjithnjë. Gjithnjë, ripohoi, Zoti vjen të takohet me ne:
“Zoti zgjedh gjithnjë mënyrën e vet për të hyrë në jetën tonë. Shpesh e bën këtë ngadalë, aq ngadalë, sa rrezikohemi ta humbasim durimin: ‘Po, o Zot, deri kur më?’. E lutemi, lutemi... E ai nuk ndërhyn në jetën tonë. Nganjëherë, kur mendojmë për atë që na ka premtuar Zoti, bëhemi paksa mosbesues, dyshimtarë e, ashtu si Abrahami, pak si fshehurazi, vëmë edhe buzën në gaz... Thuhet në këtë Lexim se Abrahami e fshehu fytyrën e qeshi... U lëkund paksa besimi i tij. ‘Po si është e mundur! Unë plak në pleqëri, do të kem një djalë; unë, njëqind vjeç e gruaja ime, nëntëdhjetë?!”.
Të njëjtin mosbesim, vijoi të shpjegojë Papa, do të kishte edhe Sara, nën Lisat e Mamrës, kur tre Engjëjt do t’i thoshin të njëjtën gjë asaj e Abrahamit. Sa herë edhe ne, kur Zoti nuk vjen, reflektoi Ati i Shenjtë, kur nuk kryen mrekulli e nuk bën atë, që dëshirojmë të bëjë, e humbasim durimin ose në shpirtin tonë nis një farë mosbesimi: “Po, nuk e bën. Dyshimtarëve nuk mund t’ua bëjë. Zoti ka kohën e vet. Por edhe Ai, në këtë lidhje me ne, ka shumë e shumë durim. Jo vetëm ne duhet të kemi durim: edhe Ai. E ai e ka gjithnjë. Ai na pret! E na pret deri në fund të fundit të jetës! Të mendojmë për Hajdutin e mirë, pikërisht në fund, në fund të fundit, e njohu Zotin, e e deshi. Zoti ecën me ne, por shpesh herë nuk e shohim, si në rastin e dishepujve të Emausit. Zoti merret me jetën tonë, kjo është e sigurt! Por shpesh ne nuk arrijmë ta dallojmë. Kjo kërkon durim. Të mos harrojmë: Zoti, që ecën me ne, edhe Ai na duron shumë”.
Papa foli, në vijim, për misterin e Zotit, që ecën me hapin tonë. Nganjëherë në jetë, vërejti, ngjarjet bëhen tepër të errëta, ka tepër errësirë, aq sa na lind dëshira të ulemi sa më shpejt nga kryqi ynë. E gjithnjë, kur zbresim nga kryqi, e bëjmë pesë minuta para se të vijë çlirimi, në çastin kur padurimi arrin kulmin: “Jezusi mbi Kryq ndigjonte si e sfidonin: ‘Zbrit! Zbrit! Eja’. Po ai duroi deri në fund të fundit, sepse ai na duron. Hyn gjithnjë në jetën tonë, është i lidhur me ne, por e bën në mënyrën e tij e kur i duket se është më mirë. Na thotë vetëm atë, që ia pati thënë Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i përkryer’, i paqortueshëm, e kjo është fjala e duhur. Ec në praninë time e përpiqu të jesh i patëmetë. Kjo është udha me Zotin e Ai ndërhyn, po duhet të presim, të presim çastin, duke ecur gjithnjë në praninë e tij e duke bërë çmos për të qenë të paqortueshëm. T’ia lypim këtë hir Zotit: hirin e ecjes gjithnjë në praninë e Tij, duke u përpjekur të jemi të paqortueshëm”.