E Diel, 1 Nëntor 2026

A po shkojnë drejt shuarjes partitë e vogla politike në Kosovë

30-05-2012 / Nga Driton Selmanaj

Kosova edhe pse me një sipërfaqe jo shumë të madhe gjeografike, përveçqë njihet si një territor me pasuri të shumta minerare si ari, argjend, nikel dhe lignit, ka edhe një “pasuri” tjetër prej së cilës Kosova nuk ka pasur kurrfarë dobie, e ajo është numri i madh i partive politike që gravitojnë në të. Me rreth 51 parti politike të regjistruara, ku 90% e tyre janë parti të vogla dhe joparlamentare Republika e Kosovës në krahasim me numrin e popullsisë, është ndër vendet me më së shumti parti politike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Partitë e vogla politike në Kosovë, emri i të cilave aktualizohet vetëm në kohën e fushatave zgjedhore gjithnjë e më tepër po margjinalizohen në “jetën plurale” politike duke rrezikuar edhe shuarjen e aktivitetit të tyre politik. Është i njohur fakti se profilizimi i partive politike mbi bazën e orientimit të tyre ideologjik, nuk është sfidë vetëm për subjektet e vogla politike, por për gjithë skenën politike në Kosovë. Organizimi i dobët i strukturave të brendshme partiake, mungesa e demokracisë së brendshme, platformat dhe programet  e paqarta politike, fuqia e pakontestueshme e liderit, roli margjinal i të rinjve dhe grave brenda strukturave të partisë, janë indikatorë të mjaftueshëm që dëshmojnë për një organizim stihik dhe jostrukturor të skenës politike në Kosovë. Kjo e bën edhe më të vështirë situatën brenda partive të vogla politike, meqë ato si të vetmen formë të mbijetesës së tyre e shohin oportunizmin dhe ngarendjen pas subjekteve të mëdha politike duke sakrifikuar qëllimet, programet dhe ideologjitë e tyre mbi bazën e të cilave edhe janë themeluar. Shqetësues mbetet fakti se partitë e vogla politike përkatësisht lidershipi i tyre, gjithnjë e më tepër po dëshmon se koalicionet me partitë e mëdha i bëjnë vetëm për pazare politike dhe përfitime të ngushta individuale,  për të zënë  ndonjë pozitë në kabinet qeveritar, poste në misione diplomatike apo aty-këtu në borde të ndërmarrjeve publike dhe agjenci të pavarura. Fakti se katër liderët e partive të vogla apo iniciativave politike që aktualisht janë në koalicion me partinë më të madhe në pushtet PDK-në (Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Agim Çeku, Ferid Agani), kanë zënë pozita të larta në Qeverinë e Kosovës, dy të parët në poste zv. kryeministrash dhe dy të tjerët në poste ministrash si dhe disa vartësish të tyre në pozita tjera, tregon se bashkimi i tyre me PDK-në më së paku është bërë mbi baza programore dhe ideologjike, por tërësisht mbi baza të interesave të ngushta personale për ta akomoduar veten dhe miqtë e tyre në kolltukët e shtetit të rreckosur, duke jetuar me privilegjet që sigurohen nga taksat e tatimpaguesve të varfër kosovarë. Nuk do mend që vendet në tranzicion dhe me demokraci të brishtë kanë nevojë për iniciativa të reja dhe parti të cilat mëtojnë të bëhen të mëdha duke e pasuruar ambientin politik me alternativa dhe platforma të reja politike. Fatkeqësisht legjislacioni aktual zgjedhor në Kosovë ka përcaktuar një prag të lartë zgjedhor prej 5%, i cili ka diskriminuar partitë e vogla dhe nuk është arritur që të gjitha votat të jenë të përfaqësuara në Kuvend, dhe me këtë është dëshmuar që ekziston rreziku që një pjesë e komunitetit apo interesave të mbesin pa përfaqësim adekuat. Prandaj, duke marrë parasysh synimet e klasës politike në Kosovë drejt ndërtimit të institucioneve me demokraci të zhvilluar, si dhe parimin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, një ulje e pragut zgjedhor do t’i kontribuonte arritjes së atyre qëllimeve. Ulja e pragut zgjedhor nuk garanton ndërrimin e mendësisë së organizimit strukturor të subjekteve të vogla politike, shmangien e oportunizmit dhe servilizmit ndaj partive të mëdha për rehabilitimin e “shefave” të tyre. Ulja e pragut do të duhej t’u mundësonte atyre ofrimin e alternativave dhe ofertave konkrete për qytetarët si dhe rritjen e shtrirjes më të madhe të përfaqësimit të qytetarëve në institucionet përfaqësuese në vend. Megjithatë logjika e aktivizimit të tyre që me çdo kusht të jenë afër pushtetit, pavarësisht orientimeve të tyre programore dhe ideologjike  gjithnjë e më tepër po i dërgon partitë e vogla politike drejt shuarjes, dhe emrat e tyre në një të ardhme të afërt mund të lexohen vetëm në analet e historisë së pluralizmit politik në Kosovë. Fati i subjektit politik “ORA”, e cila nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor prej 5% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 dhe subjekti tjetër politik FER (Fryma e Re) në vitin 2010 dhe si duket të njëjtin fat do ta ketë edhe LDD (Lidhja Demokratike e Dardanisë), dëshmon edhe më fuqishëm se çfarë ndodh me subjektet politike të cilat nuk arrijnë të futen në institucionet shtetërore. Shuarja e tyre apo fuzionomi me subjektet tjera politike fatkeqësisht po mbetet alternativa e vetme. Megjithatë pasojat e tyre duket se kanë refleksione edhe më të mëdha sesa që duken në sipërfaqe, ato po i shuajnë shpresat dhe përpjekjet e iniciativave të reja politike, për të ofruar një shkollë dhe qasje alternative të të bërit politikë në Kosovë.

Autori është menaxher programi në Institutin Demokratik të Kosovës

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›