Projektet madhore për nxitjen e rritjes ekonomike
Tregjet ndërkombëtare kanë filluar të besojnë se ekonomia globale në tërësi po fillon të rritet edhe pse ngadalë. Tashmë ka një lloj optimizmi për rritjen ekonomike në të gjithë planetin dhe nëse kohë më parë kriza planetare filloi të ndihej ngadalë në pothuaj të gjitha shtetet tani po ndodh e kundërta. Në të vërtetë jemi akoma në një rritje të lehtë ekonomike e cila në të njëjtën kohë jep edhe sinjale për një përmirësim akoma dhe më të dukshëm. Duke parë treguesit e tregjeve ndërkombëtare duket se besimi po rritet. Një rol të rëndësishëm në këtë klimë të rritjes të besimit po luan edhe Kina dhe qeveria e saj. Po vihet re një nxitje ekonomike nga ana e qeverisë kineze sidomos në javët e fundit që ka të bëjë me një paketë masash fiskale që kërkojnë të rinisin fillimisht me veprat publike. Për këtë është folur edhe në një mbledhje të Këshillit të Shtetit më 23 maj. Është dhënë udhëzimi që të mbështetet rritja ekonomike kineze edhe pse të gjitha të dhënat për këtë shtet janë me dy shifra krahasuar me muajt e kaluar. Sidoqoftë ndonjë problem ekziston ende dhe ka të bëjë më së shumti me mënyrën e planeve dhe konjukturën në përgjithësi. Analistë të ndryshëm të ekonomisë botërore mendojnë se paketa për nxitjen e ekonomisë do të ketë një efekt inferior krahasuar me super manovrën prej 600 miliardë dollarësh që u krye në vitet 2008 - 2009 e cila në vetvete kishte si qëllim që brenda Kinës mos të ndiheshin efektet e krizës së madhe ndërkombëtare. “Ndoshta, injektimi i madh i fondeve publike i tre viteve të kaluara solli më tepër dëme për rritjen ekonomike afatgjate të vendit, krahasuar me benifitet ciklikë afatshkurtër” - nënvizon Dong Tao, një ekonomist i Credit Suisse duke vazhduar se me këto parashikime manovra e nxitjes që pritet për semestrin e dytë të vitit 2012 do të vërtitet aty tek 1000 apo 2000 miliardë juan, që do të thotë se shuma e përgjithshme do të jetë baraz vetëm me gjysmën e asaj të vitit 2009. Nga ana tjetër lidhur me mënyrën e planit mbështetës për rritjen ekonomike, duke ju referuar shtypit dhe analizave të ekspertëve, pjesa më e madhe është e lidhur me investimet që do të kryhen në vepra infrastrukturore. Krahasuar me përvojën e tre viteve të kaluara hapja e kantiereve të rinj për veprat e mëdha publike ishin instrumenti më efikas për të nxitur kërkesën në një kohë të shkurtër. Pritet ndërkaq që qeveria kineze të përshpejtojë realizimin e një sërë veprash infrastrukturore të cilat ndërkaq janë aprovuar nga organet përkatëse. Flitet se qeveria kineze ka një listë të gjatë që fillon me energjinë, pastaj me transportin (qeveria kineze ka aprovuar realizimin e mijëra kilometrave rrugësh të reja), pa harruar hekurudhat e pafundme dhe ato të metrove. Në të njëjtën kohë për të nxitur akoma më tej rritjen ekonomike qeveria kineze ka aprovuar dhe ndërtimin e katër aeroporteve në lindje të vendit. Në këtë kontekst qeveria kineze nuk ka lënë në harresë edhe trajtimin e ujrave, atë të mbetjeve, ndërtimet popullore dhe infrastrukturën rurale. Për të kompletuar nxitjen e ekonomisë, nga ana tjetër qeveria kineze është duke marrë masa edhe në favor të kredive për firmat e vogla dhe ato të mesme pa harruar edhe konsumin në disa sektorë kyç, ku padyshim spikat ai i ndërtimit. Nisur nga masat e qeverisë kineze për nxitjen e ekonomisë edhe bursa e Tokios ka mbyllur me rritje duke arritur në +0,7%,. Spikasin padyshim titujt e Komatsu dhe Nippon Yusen, të cilat kanë një pozicion të fortë në eksportet me Kinën. Por edhe Wall Street është hapur me rritje ku spikat Dow Jones me 0,6%, ndërsa Nasdaq me 0,9%. Duket se Wall Street e ka kaluar fazën negative të besimit të konsumatorëve amerikanë që ka zbritur në maj në 64,9 që ishte edhe niveli më i ulët i katër muajve të fundit. Nga ana tjetër monedha euro ka vazhduar të jetë e dobët në tregun valutor dhe është shkëmbyer me dollarin amerikan 1,2530 ndërsa përkundrejt jeni –it ka qëndruar poshtë kuotës 100.