Ultimatumi final i ndërkombëtarëve: “Rama të përfshihet në skemën e zgjedhjes së Presidentit”

Ambasadorët e SHBA, BE dhe zv/ambasadori i OSBE i kanë prezantuar kreut të opozitës qëndrimin e prerë të ndërkombëtarëve, se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri s’duhet të shantazhohet me kërkesa të tjera të karakterit politik
Trojka e ambasadorëve, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, zëvendësambasadori i OSBE-së, Dan Redford dhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, theksuan dje, pas një takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, se, “gjëja më e rëndësishme është dialogu që ndërmerret mes palëve. Për shkak të zhvillimeve palët kanë interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja e presidentit është e rëndësishme edhe për drejtimin e vendit, tha ai duke shtuar se, njerëzit duhet ta shohin këtë si mundësi”.
Sipas ambasadorit të SHBA-së, “ka një mundësi që me sa duket nuk është marrë ende në konsideratë. Nuk kam dëgjuar një emër konkret, por procesi është më i rëndësishëm sesa emrat. Ka interes të përbashkët, palët kanë rënë dakord për interesin e përbashkët”, përfundoi Arvizu
Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi e vuri theksin te rëndësia që ka procesi i zgjedhjes së presidentit. “Ne nuk bëjmë asnjë negociatë, jam dakord me Arvizun dhe mendoj se ka një perceptim të faktit se ka një mundësi që duhet gjetur. Ka dialog mes forcave politike rreth rëndësisë për procesin dhe që lidhet edhe me integrimin e vendit. Perspektivat e integrimit mbeten solide dhe për këtë nuk duhen humbur mundësitë. Ne nuk diskutojmë për emra, po procese, vizione”, theksoi ambasadori i BE-së, Ettore Sequi.
Ndërsa zëvendësambasadori i OSBE-së theksoi rolin e rëndësishëm që ka dialogu mes palëve në këtë proces. “Është e qartë nga takimet e sotme se dialogu që po zhvillohet mes politikanëve shqiptarë duhet të arrijë drejt një konkluzioni për zgjedhjen e Presidentit sipas Kushtetutës, që reforma zgjedhore të ketë një konkluzion dhe që në kohën e duhur të përmbushet edhe reforma parlamentare”, u shpreh zëvendësambasadori i OSBE-së, Dan Redford.