E Diel, 1 Nëntor 2026

A rrezikon Siria shtrirje të konfliktit edhe te fqinjët?

Gazeta Shqip

Situata 

Konflikti sirian po rrezikon të shpërthejë në të gjithë rajonin. Të shtunën ka pasur luftime në kufirin me Jordaninë. Ndërkohë, ministrja e Jashtme amerikane, Clinton, takon përfaqësues të aktivistëve sirianë. Shqetësimi se konflikti sirian mund të përhapet në vendet e tjera fqinje me Sirinë po rritet. Të shtunën, ushtarët sirianë kanë qëlluar ndaj refugjatëve në kufirin me Jordaninë. Ushtarët jordanezë janë kundërpërgjigjur. Duke u gdhirë e shtuna janë shkëmbyer luftime të ashpra mes palës jordaneze dhe ushtarëve sirianë. Këta të fundit vazhduan të qëllonin refugjatët sirianë edhe pasi ata kishin mbërritur në tokën jordaneze. Njoftimet u konfirmuan nga qarqet e sigurisë në Jordani. Luftimet në këtë rajon nuk janë të pakta, por zjarri i shkëmbyer për 30 minuta në fshatin Ak Shadshirah ka qenë më i rëndi, thanë qarqet e sigurisë në Aman. Aktivistët sirianë në Aman u shprehën se forca me të cilën u goditën refugjatët ka të bëjë me praninë në radhët e 500 sirianëve të oficerëve të rangut të lartë të ushtrisë siriane. Më parë oficerët kishin dezertuar nga radhët e forcave qeveritare. Ndërkohë, ka njoftime se edhe Turqia me sa duket po bëhet gati për të krijuar me mjete ushtarake një korridor mbrojtjeje në territorin sirian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që paraqiten mjaft të shqetësuara për gjendjen në Siri dhe reagimin e Turqisë, po ndërmarrin hapa diplomatikë. Pas deklaratës së ministres së Jashtme amerikane, Hillary Clinton, se bota duhet të përgatitet për gjendjen në Siri, pas epokës së Asadit, ministrja e Jashtme amerikane udhëtoi vetë të shtunën në Stamboll. Si Ankaraja ashtu edhe Uashingtoni angazhohen për dhënien fund të regjimit të Asadit dhe mbështesin lëvizjen e kryengritësve. Në takimin me ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutoglou, dhe Kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, është biseduar sidomos për masat që duhen marrë për përshpejtimin e rrëzimit të regjimit të Damaskut. Clinton do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës siriane dhe refugjatëve sirianë për të marrë përshtypjet e drejtpërdrejta të grave, studenteve, blogerave, njoftoi Ministria e Jashtme amerikane. Lufta në Siri po rrit numrin e refugjatëve në vendet fqinje të Sirisë. Amerika ka gati për lëvrim një ndihmë prej 5,5 milionë dollarësh për refugjatët sirianë. Në metropolin sirian, Alepo, dhe në kryeqytetin Damask luftimet e ashpra vazhdojnë. Një zëdhënës i Ushtrisë Siriane të Lirisë është shprehur të shtunën, se forcat kryengritëse kanë arritur të marrin një pikë të rëndësishme strategjike në lagjen Salahedin. Luftimet janë të ashpra. Disa lagje të Alepos janë nën breshërinë e vazhdueshme të ushtrisë qeveritare siriane. Ndërsa në Damask luftimet zhvillohen sidomos në lagjen Tamadun. Edhe në Kabun janë dëgjuar të shtëna.

A rrezikon Siria shtrirje të konfliktit edhe te fqinjët? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›