Gjermania konsideron mbajtjen e një referendumi të BE-së
Po ka nga ata që thonë se pushtete më të shumta për Brukselin nuk zgjidhin asnjë problem
Kancelarja gjermane, Merkel, kërkon të zhvendoset drejt një bashkimi europian më të unifikuar, në përpjekje për të zgjidhur krizën e euros. Por, ndërkohë, po shkon në kufijtë maksimalë të asaj që quhet e ligjshme në aspektin e Kushtetutës së Gjermanisë. Debati në lidhje me mbajtjen e një referendumi për transferimin e pushtetit në Bruksel është duke u bërë në Gjemani gjithnjë e më i qartë.
Një shishe liker dhe një gotë gjysmë e mbushur mbi tryezën e Kancelares gjermane Merkel, e cila po studion një dokument konfidencial me një titull të veçantë Si të thyejmë euron. Të paktën kjo është fotoja që ka përdorur këtë javë si faqe të parë revista Economist dhe pikërisht kjo është edhe tema e çështjes speciale të numrit. Dhe në fakt, për hir të së vërtetës, Kancelarja është në një pozicion shumë të vështirë këto kohë, duke qenë se po dështon në mbajtjen nën kontroll të krizës së euros. Sigurisht që revista në fjalë dhe opsioni i saj për një plan sekret për thyerjen e euros është një sajesë. Por duket se shkon për shtat me debatin aktual, në të cilin po përfshihen gjithnjë e më shumë politikanët gjermanë të koalicionit qeverisës. Ata po diskutojnë në lidhje me ndërmarrjen e hapave radikalë për të zgjidhur krizën e euros. Zyrtarisht, megjithatë, linja e Merkelit kërkon një Europë më të fortë dhe jo të kundërtën. Në përpjekjen e Kancelares për të shpëtuar monedhën e përbashkët ajo duket se do të shkojë deri në kufijtë që i lejon veprimi i ligjit kushtetues gjerman. Kjo u bë e qartë nga mbështetja e saj për një fond të përhershëm shpëtimi për vendet e eurozonës dhe projekti i saj për paktin fiskal. Por duket se në thelb Merkel kërkon shumë më tepër. Ne na duhet një bashkim politik, ka thënë së fundi në një intervistë në televizionin gjerman. Kjo do të thotë se ne duhet ti japim më shumë kompetenca Europës hap pas hapi në një proces që do të zgjasë.
Kjo ka shumë shanse që të mos funksionojë, duke qenë se kufiri i ligjshmërisë së Kushtetutës gjermane, diçka që po e përmendin gjithnjë e më shumë anëtarët e opozitës gjermane, nuk e lejon këtë shtrirje kaq të madhe. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë njerëz brenda partive politike po flasin për mbajtjen e një referendumi në Gjermani në lidhje me Bashkimin Europian. Kushtetuta gjermane, zyrtarisht e njohur si ligji bazë, nuk e përmend shumë demokracinë direkte. Referendume parashikohen vetëm në raste shumë specifike, për rastet e riorganizimit territorial të Gjermanisë dhe në raste që parashikohen specifikisht nga ligji bazë. Ka pasur thirrje të përsëritura për ti dhënë popullatës hapësira më të mëdha vendimmarrjeje përtej asaj që jepet në zgjedhjet e radhës, veçanërisht thirrje që vijnë nga opozita. Në kontrast me CDU-në, CSU dhe FDP janë shumë të hapur ndaj idesë. Ndërkohë, kritikët thonë se transferimi i kompetencave apo masave për të shpëtuar euron janë shumë komplekse. Por gjithsesi mendohet se një referendum në Gjermani lidhur me çështjen e sipërpërmendur mund të mbahet vetëm në kuadrin e një referendumi paneuropian. Kjo teorikisht do ti thërriste të gjitha vendet anëtare që të votonin për zgjerimin e pushtetit të BE-së dhe këtë do të duhet ta bënin brenda një dite. Ndërkohë, ideja e pasjes së një kushtetute të vetme për të gjitha shtetet e BE-së nuk është e re. Në vitin 2004, krerët e BE-së aprovuan një draft kushtetutë, e cila, ndër të tjera, i jepte Parlamentit Europian më shumë pushtet dhe kufizonte influencën e vendeve anëtare. Por dështimi i referendumit në Francë dhe në Holandë e largoi nga skena këtë ide. Sipas disave, për ta bërë politikën europiane me dhëmbë dhe për ta luftuar më mirë krizën financiare është e nevojshme një marrëveshje e re, apo më mirë një Kushtetutë. Por a do ti zgjidhë kjo problemet? Të shumtë janë në fakt ata që mendojnë se vetëm sa do ti shtojë dhe nuk është se gjërat kanë çaluar tani, për shkak të mungesës së kësaj kushtetute paneuropiane.
Gjermania konsideron mbajtjen e një referendumi të BE-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip