A s’mund të jemi më të thjeshtë para një arkëmorti?
Për ngjarjen e hidhur të ndarjes nga jeta të A. Klosit, duke shkruar edhe unë si gazetar, e ndiej se duhet ta nis shkrimin me ngushëllimet ndaj familjes me fjalë të thjeshta e të çiltra, të denja për të respektuar intelektualin, autorin e fjalorëve gjermanisht-shqip dhe anasjellas, pedagogun e vërtetë të standardit gjuhësor. Këta mbiemra: i thjeshtë, i patrazuar (safí) si vera e papërzier, i natyrshëm, i çiltër, i pastër, i vërtetë, autentik (dokument autentik), janë përdorur hijshëm, në vend të fjalës “gjenuin” që përdor E. Rama, si ai tingulli fals që e bëri qenin e Ingrid Bergmanit të turfullonte për një notë të vetme të çakorduar, në një ekzekutim muzikor në piano, në familje muzikantësh të një niveli të epërm.
Siç shihet, edhe pastërtia e gjuhës pranon disa fjalë të huaja, për të mos rënë në puritanizëm, veçanërisht në publicistikë. Ndërmjet fjalëve që zëvendësojnë atë fjalën e rëndë “gjenuin”, shohim, për shembull edhe fjalën e huaj „autentike“, që përfshihet në standard për rastin e veçantë të dokumenteve. Por jo, amà, fjalë që s’njihen nga lexuesi i zakonshëm. Veçanërisht në fjalë përshpirtjeje e të përkora që ruhen e thuhen për kujtim dhe respekt të të vdekurit, me njomësí (delikatesë).
Por a është e nevojshme që të përdoret, që në rreshtin e dytë, fjala “obituari i të vdekurit”? Edhe ata që e dinë mirë italishten apo frëngjishten, mund të mos e dinë kuptimin e saktë të fjalës “obituar”. Duhen hapur fjalorë frazeologjikë dhe etimologjikë (si Zingarelli, për shembull) që të vihesh në dijení se “Obitus” (lat.) do të thotë kalim në jetën tjetër dhe “obituar” është regjistër i të vdekurve i kishës ose i kuvendit për varrosjen e të vdekurve të fesë së kishës regjistruese. A s’bëhet dot me shprehje më të njohura, qofshin edhe të huaja, si fjala “nekrologji”? Apo do të duhej që dikush, që nuk është lexues i rangut të ulët, të na thotë: “Ç’po na shet erudicion edhe ky”.
Le të lexojmë mbylljen e ligjëratës së përshpirtshme të Edit: “Me lotë (me lot, në drejtshkrim) të urryer në sy (përse ai mbiemër i ashpër, kur të tjerët, në raste të tilla, as që e përmendin fjalën “urrejtje”), dëshiroj me të gjitha fuqitë e shpirtit që atje ku tanimë ke mbërritur doktor Klosi (mungojnë presjet për një lexim më të çlirët) të gjesh përveç mungesës së shumëpritur të vulgaritetit e të plehrave të kësaj bote, një e nga një dhe të gjithë ata që me dhuntitë e tua i ringjalle apo kërkoje t’i ringjallje përmes shqipes sate të mrekullueshme.
Miratojmë vetëm fjalët e fundit. Shqipe e mrekullueshme! Po shqipja e përkujtuesit si është? A e njeh standardin gjuhësor ai që mëton se di gjithçka, pa hapur fjalorët që të jetë, së paku, i paqortueshëm në drejtshkrim? Le të rikujtojmë se standardi gjuhësor, përderisa të bëhet një Konferencë kombëtare gjuhësore apo një Kongres gjuhësor, që të jetësojë ndryshimet e natyrshme përkatëse, të domosdoshme për një evoluim të gjatë kohor, ka dy parime themelore: 1. Ndërkaq të respektohet njësimi në fuqi; 2. Sa më pak fjalë të huaja të zëvendësueshme. Përndryshe gjuha bie në anarki dhe duhen dëbuar redaktorët e korrektorët, që s’marrin përsipër të grinden me dynjanë pa pasur një arbitër, me anë të të cilit të saktësohet se ç’është e pranueshme dhe ç’është e gabuar. Ky arbitër është fjalori drejtshkrimor dhe ai gjuhësor.
Për fjalët e huaja të zëvendësueshme folëm diçka: por le të vijmë te drejtshkrimi:
i’a kam të shkruar emrin. 2. u mundua të bënte pa i’a dalë dot. 3. i’a donte historinë këtij dheu... 4. i’a donte thellë në zemër. 5. i’a donte të tëra hiret gjuhës shqipe (e shkreta gjuhë!).
E shohim që s’kemi të bëjmë me gabim shtypi. Ç’kërkon ai apostrofi, si kërcu përmbi samar? Në fjalorin e Shqipes së Sotme (1984, f. 443), trajta e shkurtër e përemrit vetor (veta III në rasën dhanore të njëjësit me tr. shk. të v. III në rasën kallëzore të njëjësit (e) ose të shumësit (i), jepet edhe shembulli “Ia dhashë dorën”. Kërkon të bëjë një leksik të ri, Edi? Mund të na tregohet ndonjë shkrim që të keqtrajtohen kështu trajtat e shkurtra të përemrave? A i pranonte këto trajta i ndjeri i gjuhës shqipe të mrekullueshme?
Doni më për Belulin? Duke qenë mujshar Edi, redaksitë e gazetave që kanë dhënë të plotë fjalën e Edit, nuk kanë bërë asnjë korrigjim. I kemi krahasuar dy prej gazetave që kanë lënë të pakorrigjuara foljet: lëvdonj, bënj, pengonj, takonj... gjer në “nuk rrinj (!) dot pa e treguar...” (Hiqu qar, mos më bjer zarar!). Në të vërtetë, të gjitha foljet e kësaj natyre janë për t’u korrigjuar!
Drejtshkrimi i këtij shkrimi është i cenuar si ajo anija që nxjerr ujë në të gjitha anët: Lemë (lëmë) të vdes; kitarrist (kitarist); lermëni (lërmëni) rehat; e kishte me pash (me pashë); lajlet e lujlet (e lulet); qënie (qenie)... jemi tallur shpesh kahera (jemi tallur shpeshherë) ...
Në shqipen tonë vihet emri pastaj mbiemri. Jo si në gjuhët latine: E bukura vajzë. Ne themi vajza e bukur. Po ashtu ne nuk themi si në këtë shkrim; “me të papërmbajtur gaz”, por me gaz të papërmbajtur; nuk themi “siç unë pata fatin”, por siç pata fatin unë; nuk themi “që rrallë shumë e kam ndeshur”, por “që shumë rrallë e kam ndeshur”; nuk themi “siç unë e di”, por “siç e di unë...”.
Folëm për fjalët e huaja të zëvendësueshme. Por mund të shtojmë: “ekzigjenca” për mos të të lëvduar” a nuk mund të shkruhet “kërkesa” për..., që e zëvendëson plotësisht fjalën e huaj? “Skripturat” përdoret për “shkrimet”. Brenda një fraze, duke bërë kakofoní, madjé. Fjalorët kështu e kanë, me përjashtim të regjistrave (të kontabilitetit). Por kuptohet se nuk jemi në këtë rast... Kemi edhe fjalë kilometrike të sajuara si “i measnjëtëpërngjasuarin”...
Por nuk po zgjatemi më tej me leksikun.
Ndër shprehjet kakofonike mund të vërejmë edhe: “i donte më shumë se shumë nga ata që...”.
Në gramatikë nuk bëhet dallimi ndërmjet “né” dhe “neve”. “Mes ne të dyve” (“neve” të dyve) (kujt?).
Për të qenë brenda, redaksitë nuk marrin përsipër të bëjnë edhe korrigjimin e gabimeve të shtypit në tekstet që i kanë riprodhuar siç i kanë marrë, pa vënë fare dorë (Ç’na duhet?). Kuptohet se në frazën që do të citojmë jemi në gabim shtypi: “Merr përsipër të mos e lëvdojë të ndjerin, ndonëse do ta bëjnë “të tërë”. Këtu kuptohet se duhet “të tjerë”. Por të dy organet e shtypit e kanë lënë “të tërë”!
***
Duke qenë shpërfillës dhe duke mos u thelluar çka thënë më parë, Rama bie në kundëthënie: Dani i kishte thënë që të bënte çmos që të mos e lëvdonin e t’i pengonte, se nuk i duronte dot lëvdatat të cilave nuk u përgjigjej dot... Këto janë muhabete intime, që duhej të mbeteshin në humoret e çastit, e jo të vihej Edi në rolin e një dirigjenti të orkestrës, që “do të pengonte...” etj. se e vë veten në kushte drejtuesish të njerëzve të ndryshëm në çdo pikëpamje. Domethënë do të dilte nga sfera e modestisë së çastit e, si të thuash, ky mund t’i detyronte e t’i bënte zap njerëzit, në rrethana që nuk ishte asfare një mundësi e tillë. I jep vetes, kështu, atribute që në disa mjedise nuk mund t’i ketë! Një njeri që nuk është mendjemadh, do t’i shmangej mundësisë që ta vinte veten më një gjendje të tillë. Është tjetër punë se ai zbulon vetveten. Por, pavarësisht nga këto imtësira, ai del jo i fjalës, se nuk i mungojnë lavdet e veta, - palé të të tjerëve, gjatë tekstit!
Por jemi edhe para kundërthëniesh vërtet serioze.
Duke folur për apartamentin e mikut të tij në pallatin buzë Liqenit “në mes të ullishtave që u bënë makthi i madh i të ndjerit ngaqë i zhbëheshin vit pas viti nga sytë prej furisë barbare të ndërtimeve mbi liqen”. Nga kjo frazë, ajo “masakra e pyjeve” dhe “furia barbare e ndërtimeve” mbi liqen, e matur me harkun kohor, të llogaritur sipas tri fjalëve “vit pas viti”, na çon - së paku - në disa vite! Pra, nuk është fjala për kohën e kryebashkiakut Basha, (që s’ka mbushur vitin) por për kohën kur ishte vetë Edi Rama kryetar bashkie! Kjo do të thotë se shpyllëzimi dhe furia barbare e ndërtimeve në atë zonë, i përkasin atij vetë, Edi Ramës! A nuk është një vetakuzim kjo thënie? Ai njihet si nihilist. Por në rastin konkret akuzat e tij, gjithmonë për të tjerët, dhe vetëlavdërimet për vetveten, ndërrojnë kahen e sjelljes. Akuzat bëhen bumerang. Edi përnjollos vetveten! Apo do të përdorim metafora e demagogjitë që i ka në majë të gjuhës që të bëjë interpretime subjektive se kuptimi i asaj që ka thënë mund të merret në të kundërtën?
Kështu ndodh kur kërkon të shndërrohen fjalët e papeshuara për një rast fatkeqësie si ky, në një mundësi për të bërë politikë, madjé polemikë, çka është kundër traditës zakonore, jo vetëm të shqiptarit!