E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Shqipëria, arritje domethënëse në rrugën e integrimit

01-05-2012 / Gazeta 55

Më 3 maj në Tiranë vjen për një vizitë komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Stefan Fule, i cili do të japë mesazhe nxitëse për politikën shqiptare në kuadër të integrimit dhe vlerësimin e punës së bërë deri më tani. Ai paraprakisht e ka vlerësuar si shumë domethënëse punën e kryer deri më tani për përmbushjen e 12 rekomandimeve të BE-së

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian Stefan Fyle i shoqëruar nga drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino viziton Shqipërinë në 3 maj, në kuadër të përmbushjes së 12 rekomandimeve që vendi ynë duhet të zbatojë për të marrë statusin kandidat brenda këtij viti. Ai deklaroi se një nga temat që do të jetë qendrore në diskutimet që do të zhvillohen në Tiranë do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit, duke nënvizuar se konsensusi në këtë drejtim është i padiskutueshëm. “Zgjedhjen e presidentit u takon ta bëjnë vetë shqiptarët. Pra, nuk do të dëgjoni nga ne të themi se çfarë bëtë saktësisht. Qëllimi ynë nuk është që të imponojmë këtë ose atë zgjidhje. Por, ajo që do të theksoj edhe në Tiranë, është se roli i presidentit në sistemin shqiptar është i rëndësishëm dhe presidenti duhet të jetë presidenti i të gjithë shqiptarëve. Ai nuk është aty vetëm për të respektuar Kushtetutën, por për të shprehur gjithashtu këndvështrimet dhe shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të te gjithë shqiptarëve. Pra, shpresoj se të gjitha palët e interesuara dhe partitë politike do të bëjnë një marrëveshje të tillë politike, në mënyrë që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë t’i përligjë ato që priten të bëhen edhe në këtë rast”- u shpreh Fule. Komisioneri për Zgjerimin theksoi se pret rezultate konkrete nga politika shqiptare, teksa theksoi se ka progres domethënës. “Nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do e quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit. Harmonizimi i vullnetit politik me kriteret qe duhen zbatuar, kjo është ajo që mund t’i lejojë Shqipërisë që të kryeje një progres domethënës këtë vit”, ka theksuar Fyle.
Komisioneri i Zgjerimit tha se Shqipëria mbeti pas vitin e shkuar në rrugën e integrimit, për shkak të ngërçit politik. “Mungesa e gjithëpërfshirës është parë si një vetëplagosje këtu në Bruksel. Por në nëntor u tregua një mirëkuptim nga të gjithë palët e interesuara në Shqipëri, të cilat ripërtëritën angazhimin për procesin evropian. Që atëherë, ne kemi vërejtur që ky angazhim ka sjellë frytet e tij duke përforcuar karakterin e gjithëpërfshirës të reformave dhe hapave që janë të nevojshme për vendin për të ecur përpara. Ka pasur një periudhë shumë intensive muajt e fundit midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian: Plani i veprimit, avokati i popullit, janë aprovuar ligjet me tre të pestat. Gjërat nuk janë ndoshta perfekte, por gjërat janë duke ecur pa dyshim në drejtimin e duhur”, vijoi ai.
Fule tha se agjenda në Tiranë do të jetë shumë e ngjeshur gjatë së enjtes, ku midis të tjerash pritet edhe një fjalim në Parlamentin e Shqipërisë. “Do takohem me presidentin, kryeministrin, ministren e integrimit, ministrin e jashtëm, liderin e opozitës. Dhe jam shumë i interesuar që të mbaj një fjalim në parlamentin shqiptar. Mesazhi do jetë që politika shqiptare mundi të arrinte gjithëpërfshirjen dhe ne jemi gati që ta ndihmojmë Shqipërinë”, nënvizoi ai. Stefan Fule pritet të mbërrijë në Tiranë më datën 3 maj dhe axhenda e tij e takimeve është e gjerë duke përfshirë të gjithë aktorët politikë në vend. Fule do të takojë kryeministrin Sali Berisha dhe pas tij dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Një takim është parashikuar edhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Komisioneri do të marrë pjesë në punimet e seancës parlamentare ku do të lëshojë mesazhet politike për reformat dhe statusin kandidat. Fule do të takohet më pas me zv.kryeministrin dhe njëkohësisht ministër i jashtëm Edmond Haxhinasto ndërsa pas mesditës kryeministri ka shtruar një drekë për ndër të komisionarit. Gjatë pasdites Stefan Fule do takojë dhe Presidentin Topi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›