Bregu: Për Planin e Veprimit, është shënuar progres në pikat kyçe
Mazhoranca është e gatshme të votojë alternativën e opozitës për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni parlamentar
Ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka raportuar dje në komisionin parlamentar të integrimit rreth zbatimit të masave të parashikuara në planin e Veprimit për periudhën 21 mars-22 prill, rreth një muaj pas dorëzimit të materialit në Bruksel. Në fjalën e saj Bregu ka theksuar se është bërë progres në pikat kyçe si për reformën zgjedhore dhe për Gjykatën Administrative. “Megjithëse ka kaluar vetëm një muaj nga miratimi i Planit të Veprimit, ky dokument është një dëshmi e qartë e seriozitetit dhe angazhimit maksimal të institucioneve, agjencive të implementimit të ligjit, për të realizuar detyrimet e parashikuara në 12 prioritetet. Ka një progres të dukshëm, qoftë nëse planin e veprimit do ta shihnim në aspekt të thjeshtë numerik - pra sa masa janë parashikuar nga institucionet dhe sa prej tyre janë zbatuar - qoftë përsa i përket pikave thelbësore të detyrimeve, siç është reforma zgjedhore”, tha ministrja në fillim të fjalës së saj në komision, duke sqaruar se pavarësisht se plani për përmbylljen e reformës zgjedhore ishte parashikuar në fund të muajit prill, më e rëndësishme se data, është fryma e mirë dhe kompromisi gjatë punës për përfundimin e kësaj reforme. “Do të kishte qenë shumë mirë të ishte mbyll në fund të prillit, megjithatë nga bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore, kemi marrë konfirmimin që dyvajëshi i parë i majit, do të jetë vendimtar për të përmbyllur reformën zgjedhore, përfshi këtu edhe rishikimet e OSBE-ODHIR-it për fazën përfundimtare”, tha ministrja që vijoi raportimin me rishikimin e rregullores së Kuvendit. “Përsa i përket rishikimit të rregullores së Kuvendit, më shumë sesa mua, ju takon juve që të na bëni të ditura zhvillimet më të fundit në këtë komision, duke qenë se jeni anëtarë në të. Megjithatë, nga informacionet që ne kemi marrë në takimin konsultativ Shqipëri –BE të zhvilluar para pak ditësh në ministri, jemi informuar se janë përmirësuar tashmë 34 amendimet dhe 27 nenet e rregullores, sikurse është përmirësuar edhe draft-ligji i statusit të deputetit dhe ligji i ashtuquajtur “Zela”, i cili konsiderohet si një element që do të shërbejë për të forcuar punën dhe kontrollin ndaj qeverisë. Jo se deri tani ka munguar raportimi i përfaqësuesve të qeverisë në Komision të Integrimit apo seancë plenare, por duke qenë se ky ligj specifikon një rol më të madh kontrollues të komisionit të integrimit në funksion të integrimit, shpresoj shumë të realizohet një draft i mirë, i cili me kontributin e projektit që është në parlament, por edhe në ministrinë e integrimit, të mund të jetë një element i shtuar në rregulloren e rishikuar të parlamentit”, u shpreh ministrja Bregu.
Ajo ka theksuar se mazhoranca është e gatshme të votojë alternativën e opozitës për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni. Ministrja e Integrimit u ndal posaçërisht për këtë çështje, e cila është pjesë e rekomandimit nr.8, në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo çështje do të diskutohet në dy aktivitete që do të zhvillohen nga Këshilli i Europës në fund të muajit maj. Ne si mazhorancë shprehim vullnetin e palëkundur dhe të pandryshueshëm për të votuar kufizimin e imunitetit të deputetëve me cilëndo alternativë që opozita do të zgjedhë si të preferuar dhe që do të diskutohen në këto aktivitete. Besoj që këto takime të mos jenë kohë e humbur dhe në fund të tyre, të mos dilet me një dualizëm ndaj dy alternativave. Shpresoj shumë që në fund të dy seminareve të zhvilluara me asistencë të Këshillit të Europës, kolegë të nderuar të opozitës, do të bini dakord se cilën nga dy alternativat, ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit, apo një ligj të veçantë për kufizimin e imunitetit, do të zgjidhni për të votuar bashkë me ne. Nuk ka rëndësi për mazhorancën se cilën do të zgjidhni, preferojmë cilëndo alternativë që ju do të zgjidhni, për ta votuar. Ky ligj është shumë i rëndësishëm, është një element kryesor në plotësimin e masave që duhet të përmbushen brenda këtij sesioni parlamentar”, iu drejtua ministrja përfaqësuesve të opozitës në Komision.
Ajo ka theksuar më tej se lista e prioriteteve nuk mbyllet brenda vitit, por për vitin 2012 është e nevojshme vullneti politik në përmbushjen e rekomandimeve të Brukselit. “Unë nuk pres që ky plan veprimi të konsiderohet i kryer dhe me të gjitha detyrimet e përmbushura në fund të vitit 2012. Asnjë vend në botë, sot, mund të thotë që e ka mbyllur çështjen e të drejtave të njeriut, dhe nuk duhet të marrë masa për të përmirësuar të drejtat e njeriut. Ky është një prioritet në të cilin ne do të zbatojmë detyrimet brenda këtij viti, ka masa të cilat në bazë të strategjive përkatëse sektoriale shkojnë deri në 2017. Asnjë shtet dhe vend në botë nuk do të thotë që ka kryer dhe se nuk duhet të luftojë korrupsionin. Në këtë logjikë, them që viti 2012 nuk është viti ezaurues në luftën kundër korrupsionit, asnjë qeveri në botë nuk thotë që unë nuk marr masa për të luftuar krimin e organizuar, e njëjta logjikë vlen edhe për prioritetin nr. 9 në plan veprim. Prandaj, jam e bindur që përtej teknikaliteteve, pavarësisht sa masa miratohen dhe ne i parashikojmë, ky vit ka nevojë për të treguar vullnetin politik për përmbushjen e masave kritike të detyrimeve deri në shtator të këtij viti. Nuk e them për të ndarë punën në segmente, as për të caktuar prioritete brenda prioriteteve, por e them që të ndahemi mirë dhe buzagaz me raportin e tetorit, e thënë ndryshe: atë shans të munguar për të çuar përpara procesin e integrimit me statusin e vendit kandidat, më shumë se askush tjetër, e kemi në dorë ne dhe të gjithë kolegët tanë që janë në sallën e parlamentit”- tha më tej në fjalën e saj, ministrja Majlinda Bregu.
Prioriteti 8, lufta kundër korrupsionit dhe kufizimi i imunitetit
Në luftën kundër korrupsionit, për periudhën mars-prill 2012, përpjekjet janë fokusuar në përmirësimin e kuadrit ligjor për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për forcimin e kuadrit operacional. Rishikimi i kuadrit ligjor për imunitetin e pakufizuar të zyrtarëve publikë të lartë dhe të gjyqtarëve: Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet ILDKP-së dhe KLSh-së për rritjen e efikasitetit në verifikimin e rasteve të abuzimit me fondet publike dhe të konfliktit të interesit në administratën publike, nënshkruar më 2 mars 2012; Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet ILDKP-së dhe Avokatit të Popullit, nënshkruar më 28 mars 2012; Urdhri i Përbashkët i Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme “Për ngritjen e Grupit të Punës për harmonizimin e statistikave për rastet e korrupsionit dhe historikun solid (track rekord), i miratuar nga këto tre institucione në prill 2012. Është ngritur grupi i përbashkët për analizimin e kuadrit ligjor për lejimin e aksesit të informacionit ndërmjet strukturave të ndryshme ligjore-law enforcement. Është hedhur shorti për investigimin e plotë të deklaratave për 192 zyrtarë nga ILDKP.