E Shtunë, 31 Tetor 2026

A u përdor martesa për rrënimin e Mehmet Shehut

Silva Turdiu dhe shkaqet e vdekjes së Mehmet Shehut
Jo rastësisht, vetëm pak ditë pas prishjes së lidhjes mes Silva Turdiut dhe Skënder Shehut, gjërat morën për keq në familjen kryeministrore. Para vdekjes misterioze të Mehmet Shehut, Byroja Politike gumëzhinte me historinë rozë të djalit të kryeministrit dhe fanatikët e luftës së klasave luftuan me mish dhe me shpirt që çifti të ndahej. Por, dilema më e madhe edhe sot e kësaj dite është nëse historia e Silva Turdiut u përdor si armë në luftën e brendshme të Byrosë, apo ajo ishte thjesht një viktimë në kurthet e Bllokut? Në debatet e shumta të ekspertëve dhe historianëve, kur flitet për kryeministrin më jetëgjatë të regjimit komunist, jepen detaje që tregojnë se në nivelet e larta të Partisë Komuniste, Shehu kishte jo pak kundërshtarë, të cilët luftonin me çdo mjet që të gjenin prova për ta rrënuar karrierën e tij. Njëra prej armëve që u përdor ishte vajza me biografi jo të mirë që hyri në shtëpinë e kryeministrit. Por ka edhe hipoteza të tjera, të cilat lidhen me motive të tjera, të cilat e shtynë kryeministrin t’i jepte fund jetës. Gjithsesi, prishja e një lidhjeje përfundoi me një fund tragjik edhe për Mehmet Shehun dhe rrënimin e familjes së tij.

Fejesa dhe politika

Gazetari i njohur i dosierëve të kohës së diktaturës, Kastriot Dervishi, në hulumtimet e tij për vdekjen e Mehmet Shehut dhe shkaqet që sollën fundin tragjik të tij, mbron tezën se historia e çiftit Silva Turdiu dhe Skënder Shehu u përdor si armë në kohën kur Enver Hoxha thjesht numëronte ditët dhe kërkohej me domosdo një pasardhës. Kryeministrit të hekurt të diktaturës i duhej dhënë një goditje e fortë, të cilën kundërshtarët e tij e kishin të vështirë për t’ia dhënë, pasi mungonin provat për besnikun dhe krahun e djathtë të Enver Hoxhës. Siç duket nuk kishte rast më fatlum se sa lidhja e djalit të Mehmetit me vajzën e profesor Qazim Turdiut, i cili rridhte nga një familje tradicionale shqiptare, që nuk kishte lidhje ideologjike me sistemin.

Historia

“Më 1 shtator 1981, Qazim Turdiu kishte ardhur në shtëpi të Mehmetit për të biseduar duke shpallur po atë ditë fejesën e Skënderit me Silva Turdiun. Ndoshta Mehmet Shehu nuk e ka kuptuar në çastet e para të kësaj fejese se i dha me duart e veta Enver Hoxhës një mjet mjaft të përshtatshëm për të mbaruar punë me të”, - thotë Dervishi në një nga shkrimet e tij për këtë ngjarje. Të nesërmen e ditës së fejesës në familjen Shehu erdhi edhe Silva Turdiu dhe më 3 shtator 1981 erdhi vetë udhëheqësi komunist Enver Hoxha me bashkëshorten e tij, Nexhmijen. Sipas dëshmisë së një prej njerëzve të shërbimit të Mehmet Shehut dhënë emisionit televiziv “Fokus” në vitin 1996, Enver Hoxha, gjatë vizitës në shtëpinë e Mehmet Shehut, pasi ka uruar për fejesën, ka uruar veçmas nusen duke e puthur në ballë. Ndërsa sipas librit “Vjeshta e ankthit” të autorit Bashkim Shehu, Enver Hoxha në këtë urim ka thënë: “E njoh babanë tënd, profesor Turdiun, kam shumë respekt për profesor Turdiun. M`i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë”.
Nga ana e saj Nexhmije Hoxha i është drejtuar Silvës me këto fjalë: “Edhe unë e njoh nënën tënde, kemi qenë shoqe shkolle në kohën e luftës. I bëj shumë të fala nga unë”.
Enver Hoxha e ka paracaktuar që në fillim se ç’do të bënte më këtë fejesë dhe si do ta përdorte atë kundër kundërshtarit të momentit të tij që quhej Mehmet Shehu dhe që mbahej si numri 2 i Shqipërisë. Atij nuk i ka pëlqyer një prishje e menjëhershme e fejesës, pasi jehona e saj do të shuhej menjëherë. Ai nuk e ka porositur kot Sulo Gradecin të monopolizojë fotografitë e bëra gjatë kësaj vizite të tij.

Fotot e misterit
Në lidhje me këtë, ish-truproja i Mehmet Shehut, Ali Çeno, në Gazetën Shqiptare ka deklaruar: “Pas një ftohjeje të gjatë të marrëdhënieve në mes Enverit dhe Mehmetit....., nga fillimi i shtatorit, Enveri së bashku me Nexhmijen erdhën te familja Shehu për t`i uruar fejesën e djalit të dytë, Skënderit.... Pasi isha njoftuar më parë për vizitën që do të kryenin Enveri me Nexhmijen, i thashë fotografit të familjes Shehu, Dashamir Rrapi, që të bënte gati aparatin për të bërë disa poza që t`i kishte kujtim familja. Enveri me Nexhmijen, kur erdhën në shtëpinë e Mehmetit... u treguan shumë të përzemërt me pjesëtarët e familjes e sidomos me Skënderin e Silva Turdiun, vajzën që ai sapo ishte fejuar. Enveri e pyeti gjerë e gjatë Silvën dhe i tha se e njihte profesor Qazim Turdiun, që ishte njeri mjaft i nderuar. Duke parë këtë situatë tepër të përzemërt që po mbizotëronte aty, unë kërkova fotografit të familjes, Dashamir Rrapi, që të vinte brenda dhe të bënte disa fotografi. Po kur ktheva kokën e pashë që ai nuk ishte aty. Dola nga dhoma dhe i thashë Dashamirit të vinte menjëherë brenda për të bërë fotografitë. Ndërkohë ai më tha se i kishte thënë Sulo Gradeci që ai në asnjë mënyrë të mos futej brenda për të bërë fotografi, pasi ato do t`i bënte Sulo. Unë, i nevrikosur nga kjo gjë e mora atë brenda. Sulo erdhi menjëherë dhe më tha ta nxirrja jashtë fotografin, sepse ashtu kishte dhënë urdhër shoku Enver, se fotografitë do t`i bënte vetë Sulo..... Fotografitë e asaj vizite që Enveri me Nexhmijen bënë me gjithë pjesëtarët e familjes dhe me Skënderin e Silvën u bënë vetëm nga Sulo Gradeci. Disa muaj më vonë, pas vrasjes së Mehmet Shehut, e kam sjellë ndër mend atë ngjarje dhe nxirrja konkluzionin se vendimi i Enverit për të mos lejuar fotografin e familjes për të bërë fotografitë ishte i paramenduar dhe me qëllim. Them se Enveri me Nexhmijen, që para se të vinin për të uruar fejesën e Skënderit me vajzën e familjes Turdiu, e kishin planifikuar që do t`ia prishnin atë fejesë, ashtu siç ia prishën dhe nuk donin që të ngeleshin fotot si dokument që ata kishin qenë dakord dhe e kishin uruar për atë fejesë. Mirëpo ata erdhën aty për ta uruar me qëllim që t`ia bënin fakt të kryer atë fejesë dhe më pas ta sulmonin Mehmetin, ashtu siç e sulmuan, duke i përmendur biografinë e familjes Turdiu”.
Mirëpo një variant të ndryshëm paraqet për të njëjtën ngjarje njeriu i afërt i Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, në librin e tij “30 vjet pranë shokut Enver” (Tiranë 1986). Ai mohon të ketë qenë i pranishëm në vizitën që ka kryer Enver Hoxha në shtëpinë e Mehmet Shehut, pasi paska qenë në një mbledhje pune me Feçor Shehun. Sipas Dervishit, “nga ballafaqimi i fjalëve të Sulo Gradecit me ato të Enverit del që kemi të bëjmë me deklarime të ndryshme për të njëjtën gjë. Sulo thotë që “nuk ia dhamë negativat e filmave familjes Shehu”, ndërsa Enveri thotë se këto foto i ka marrë edhe “armiku i popullit” Arshi Pipa, meqë ia paska dërguar “mbesa” e tij, Silva Turdiu. Sipas dëshmisë së sipërpërmendur të Ali Çenos, sapo ka mbërritur në Tiranë, Hoxha i është drejtuar Shehut me këto fjalë: “Duhet ta prishësh fejesën e djalit sepse a e di ti se çfarë biografie ka Qazim Turdiu?”. Nga ana e tij Shehu ka thënë: “Pse nuk ma the këtë gjë që atëherë kur erdhe për të më uruar fejesën në shtëpi? Për profesor Turdiun ne kemi thënë gjithmonë se është njeri i nderuar dhe e kemi marrë të gjithë në shtëpi për të na mësuar fëmijët tanë. Kur na doli se ai na qenka i keq? Unë nuk mund të ndërhyj te ndjenjat e fëmijëve të mi për të prishur këtë fejesë”. Duke iu referuar librit “Vjeshta e ankthit”, në këtë vizitë, Fiqiret Shehu ka thënë: “Nuk dimë si do t`ia shlyejmë Partisë këtë gabim kaq të rëndë”. Nga ana e tij, Enver Hoxha, duke vazhduar lojën e tij, ka thënë: “Një fejesë e gabuar është e pallogaritshme në krahasim me kontributin tuaj të paçmueshëm për të mirën e Partisë dhe të popullit për dekada të tëra”. Në fakt, Enver Hoxha nuk kishte hequr dorë nga synimet e tij për të qëruar hesapet e tij me rivalin e trashëgimtarit të tij politik. Kastriot Dervishi argumenton e “në tetor 1981 ai nuk kishte arsye për ta bërë goditjen për dy arsye: së pari ishte në prag të Kongresit të 8-të të PPSH-së dhe nuk donte të krijonte një situatë të pafavorshme para këtij kongresi. Së dyti, duke u sjellë me Mehmetin në këtë mënyrë sikur çdo gjë kish mbaruar, Enveri i ruhej edhe ndonjë përgatitje të mundshme të Mehmetit ndaj tij. Në këtë mënyrë, Enveri kishte planifikuar goditjen e Mehmetit në një kohë të përshtatshme dhe të menjëhershme. Dhe kjo kohë ishte mesi i dhjetorit 1981.

Nexhmije Hoxha për fejesën e Silva Turdiut dhe Skënder Shehut

Mehmet Shehu kishte hyrë në shtëpinë e re dhe e kishte fejuar djalin e tij, Skënderin, me vajzën e Qazim Turdiut, i cili gjatë luftës kishte qenë me Ballin. Familjet e ish-diktatorit dhe ish-kryeministrit i kishin bërë pushimet veç e veç atë verë. Enver Hoxha sapo ishte kthyer nga Pogradeci dhe qysh të nesërmen e kthimit i bëjnë vizitë Mehmetit dhe Fiqretit. Kjo ishte edhe një vizitë urimi me rastin e fejesës së djalit të Mehmetit, Skënderit. Një mbrëmje, kur familja e diktatorit po darkonte, Iliri, djali i Enverit, u jep lajmin familjarëve të tjerë se Neli (Skënder Shehu) ishte fejuar. Atë e kishin njoftuar për këtë dhe e kishin ftuar bashkë me Teutën vetëm një orë më parë. Kjo ishte edhe vizita e parë që bënte e fejuara e Skënder Shehut, Silva Turdiu, në shtëpinë e Mehmetit. Iiri u thotë se vajza quhej Silva dhe ishte e bija e Qazim Turdiut, pedagog matematike në Universitetin e Tiranës. Të nesërmen vendosën të shkonin për vizitë në shtëpinë e Mehmetit për t’i uruar fejesën e djalit. Kjo vizitë, që është përshkruar me hollësi, botuar e ribotuar, shkoi normalisht dhe u thanë fjalë të mira për Qazim Turdiun; Enveri dhe Nexhmija uruan çiftin e ri si dhe Mehmetin e Fiqretin, madje u bënë edhe fotografi. Gjithçka rrodhi normalisht. Por të nesërmen Enver Hoxha do t’i kërkonte Mehmet Shehut ta prishte fejesën e djalit, sepse familja e së fejuarës së Skënderit kishte 6-7 të dënuar politikë dhe nëna e vajzës ishte nga familja e Pipave, e Muzafer e Arshi Pipës.

(Publikuar në gazetën “Shekulli”)

Silva Turdiu për vizitën e Enver Hoxhës

…Nuk është vërtetë që Enver Hoxha "nuk dinte asgjë" për Qazim Turdiun kur bëri vizitën për urimin e fejesës. Unë isha prezente. Me tha vetë se e njihte mirë Qazim Turdiun dhe shprehu konsideratë të lartë. Pse e ndërroi fletën me vonë?

…Në diskutimin në Byro, Enveri shprehu merak të madh për fotografitë e fejesës me Enverin në krye, se mos kanë rënë në duart e reaksionit ndërkombëtar, duke sajuar fantazinë se fotografitë do të kenë shkuar te Turditë, pastaj në Greqi dhe më pas në duart e Arshi Pipës në Amerikë. E vërteta është se as që u kujtua njeri për fotografitë me Enverin (Enverit i pëlqente kamera dhe nuk linte rast pa dalë në fotografi) dhe do të kenë ngelur në aparatin e ndonjërit prej fotografëve të Bllokut. Fantazia e "komplotit" të fotografive është një maket në miniaturë i konstruksioneve fantastike të komploteve të paqena në trurin diabetik enverian. Ato që Enveri dhe Nexhmija kanë shkruar për faktet që unë i di dhe njerëzit që unë i njoh, janë pothuajse të gjitha gënjeshtra. Po të përdorim metodën e arsyetimit me induksion, shumica e gjërave që kanë thënë edhe për të tjerët duhet të jenë gënjeshtra. Megjithatë, nuk është e vështirë "to read between the lines" në kujtimet e Nexhmijes: Situata në udhëheqjen e Partisë ishte mbytëse. "Shokët" (tashmë të plakur dhe të rrjedhur) urrenin njëri-tjetrin, ruanin nëpër kasaforta dokumente "komprometuese" për shoku-shokun dhe mezi prisnin që dikush të gabonte e t'i suleshin si qenë të uritur. Enveri ndiqte taktikën "përça dhe sundo", Kadriu donte t'i zinte vendin Mehmetit, ndërsa Ramizi synonte largpamësisht karrigen e Enverit. "Shoqet" përdornin taktikat e plakave ziliqare për t'u futur xixat pleqve: "E di ti Enver se çfarë biografie ka e fejuara e Skënderit? Po kolltukët e rinj të Fiqretit i vure re? I kanë më të mira se tonat. Meqë ra fjala, Turdiu i ka vënë notë të keqe Pranverës në matematikë!".

(Marrë nga replika që Silva Turdiu bëri në kohën e publikimit të kujtimeve të Enver Hoxhës nga Nexhmije Hoxha.)

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›