AAB: Aktet e dhunës ndaj institucioneve financiare të papranueshme, shqetësime për sigurinë e punonjësve dhe klientëve

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dënoi aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj degëve bankare dhe objekteve financiare gjatë zhvillimeve të fundit në Tiranë, duke kërkuar garantimin e sigurisë së punonjësve, klientëve dhe vijimësisë normale të shërbimeve bankare.
Në një deklaratë publike, AAB thekson se e drejta për t’u mbledhur, për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet është një e drejtë themelore, e cila duhet respektuar, por ushtrimi i saj duhet të jetë paqësor dhe në përputhje me ligjin.
Sipas shoqatës, aktet e dhunës ndaj institucioneve financiare janë të papranueshme dhe krijojnë shqetësime për sigurinë e punonjësve dhe klientëve, si dhe për funksionimin normal të shërbimeve bankare.
AAB u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin veprimet e dhunshme, ndërsa institucioneve përgjegjëse u kërkon të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë publike.
“Mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë”, thekson AAB.
Shoqata siguron gjithashtu klientët se marrëdhënia e tyre me bankat mbetet e pacenuar dhe e sigurt, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura.
AAB rikonfirmon mbështetjen për të drejtën e protestës paqësore dhe shprehjen e lirë të kërkesave qytetare, në respekt të ligjit, sigurisë së qytetarëve dhe pronës publike e private.
/e.xh/j.p/