AAK: Do të jemi kooperativë në temat e interesit shtetëror

Përderisa gjatë ditës së djeshme, ambasadorja ka takuar kryeministrin, Hashim Thaçi dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ajo sot ka anashkaluar Lëvizjen Vetëvendosje, duke vizituar AAK-në, e cila është partia e tretë në ranglistën e opozitës.
Ambasadorja Jacobson pas takimit ka thënë se është biseduar për një varg çështjesh të ndryshme, duke shprehur mbështetjen e saj për të gjitha përpjekje të AAK-së për shumë çështje dhe procese, të cilat janë duke shkuar përmes Kuvendit, përfshi edhe të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me përmbylljen e pavarësisë.
“Ne biseduam po ashtu edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe për mbështetjen e AAK-së, që do të qonte drejt normalizimit të atyre marrëdhënieve. Patëm rastin po ashtu që të bisedojmë edhe për agjendën, e cila do të jetë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, që ka të bëjë me reformën zgjedhore”, ka theksuar Jacobson.
Ajo ka shpreh edhe njëherë përkushtimin e SHBA-ve për Kosovën dhe për përpjekjet e saj për një shtet multietnik dhe zhvillim të ekonomisë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala ka thënë se AAK-ja do të punojë për të gjitha temat që janë në interes të shtetit.
“I diskutuam të gjitha çështje me relevancë për Kosovën. Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, mendojmë se në temat e interesit shtetëror duhet të kemi qëndrim të qartë dhe duhet të punojmë gjithmonë në përfitim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Mendojmë se edhe në të ardhmen do të jetë një klimë shumë më e mirë sa i përket temave që folëm. Veçanërisht do të përpiqemi që të jemi kooperativë edhe në temën e reformës së sistemit zgjedhor, edhe në temën e veriut të Kosovës edhe në temën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, e cila do të ndodhë shumë shpejt”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në Kosovë dhe miqësia e vendosur tash e dhjetëra vjet mes Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë një kontribut i madh që Kosova t’i arrijë të përballet me sprovat e mëdha të cilat e presin./kosovapress/