E Diel, 1 Nëntor 2026

AAK: Ministri Hoxhaj po bën fushatë me pagat e arsimtarëve

Prishtinë, 29 gusht - Zyrtarë të Komisionit për Arsim të AAK-së, kanë drejtuar të dielën kritika të shumta për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për mos kryerjen e përgatitjeve të nevojshme për fillimin e mbarë të vitit të ri akademik shkollor, ndërsa premtimet e ministrit Enver Hoxhaj për rritje të pagave të arsimtarëve i kanë quajtur si fushatë politike, raporton TV21.
Kritikat e AAK-së janë bërë nëpërmjet kryetarit të komisionit për Arsim, Jonuz Salihaj, i cili gjatë një konference për media vlerësoi se MASHT nuk ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se edhe kësaj radhe shumë fëmijë do të jenë të privuar nga e drejta e tyre për të shkuar në shkollë. Sipas tij, shumë shkolla ende janë duke u marrë me përgatitjen e objekteve dhe se ato nuk do të mund të bëhen gati më 1 shtator.
Salihaj vlerëson se asnjë arsyetim i zyrtarëve arsimor, për vonesat e tilla, nuk ka si të kuptohet ndryshe, përveç si dështim i zbatimit të politikave të MASHT-it. Kryetari i komisionit për Arsim në AAK, kujtoi faktin se vitin e kaluar vetëm 89 punonjësve të arsimit që kanë pasur gradat e masterit dhe doktoraturës u është ngritur paga për 21 për qind, kurse të tjerëve jo. Ndërsa Salihaj premtimet e ministrit Enver Hoxhaj për rritje të pagave të arsimtarëve i kanë quajtur si fushatë politike.
Sipas zyrtarëve të AAK-së, përfshirja e fëmijëve në të gjitha nivelet mbetet e ulët, kurse përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta është alarmante. Mjafton të citohet raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian në të cili thuhet se vetëm 10 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta vijojnë arsimin fillor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›