AAK: Ndalja e rrymës e orkestruar nga institucionet
Ndalja e rrymës në qendrën e votimit në Gramaqel dhe Irzniq të Deçanit e ka shtyrë të reagoj Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila konsideron se kjo është bërë me qëllim që të dëmtohet procesi demokratik i zgjedhjeve në Deçan.
Përmes një komunikate për media, AAK ka shprehur befasinë dhe indinjatën e saj se si rryma është ndalur pikërisht në dy qendra të votimit ku kjo parti tradicionalisht ka fituar shumicën absolute të votave të qytetarëve.
“AAK konsideron se ndalja e rrymës në këto dy qendra të votimit është orkestruar nga institucionet përgjegjëse të cilat kanë tendencë të qartë të dëmtimit dhe prishjen e imazhit të një procesi demokratik dhe të qetë të mbajtur në Deçan përgjatë gjithë ditës”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Reagime për ndaljen e rrymës ka pasur edhe nga disa parti tjera politike nga të cilat është raportuar se energjia elektrike është ndalë edhe në Drenas e Skënderaj.