AAK: Sërish do ta bojkotojmë Pacollin

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila sot mbajti një takim të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbledhur Këshillin Drejtues të partisë.
Zhvillimet e fundit në skenën politike, pas vendimit të Kushtetueses se zgjedhja e Behgjet Pacollit për president ishte jo kushtetuese, kanë qenë arsyet, si për njërën parti, ashtu edhe për tjetrën.
Në takimin e AAK-së, që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, kjo parti nuk ka marrë ndonjë qëndrim sa i përket hapave të mëtejshme që do të ndiqen lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë se në takim është biseduar për situatën aktuale dhe zhvillimet politike aktuale në Kosovë, por nuk ka dashur të komentojë nëse në takim është diskutuar për mundësinë e pjesëmarrjes së AAK-së në seancën për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, Luma ka përsëritur se AAK-ja do të bojkotojë seancën për zgjedhjen e presidentit në rast se Behgjet Pacolli do të jetë sërish kandidat për president.