AAK dhe LDK tërheqin nënshkrimet për ASHAK-un

Deputeti Vataj kishte mbledhur 49 nënshkrime të deputetëve për të nisur plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ASHAK-un, ishte formuar edhe grupi punues, mirëpo LDK-ja i kishte tërhequr 11 nënshkrimet e saj menjëherë pasi që kjo çështje kishte dalë në opinion dhe pasi që akademik Qosja, në një intervistë për Kosovapress, kishte thënë se “ASHAK-u është shtëpi private e LDK-së”.
E tërheqjes së LDK-së, të martën i është bashkuar edhe AAK-ja, deputeti i së cilës, Burim Ramadani, ka paralajmëruar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit se do t’i tërheq nënshkrimet nga kjo nismë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, konsideron se është politizuar kjo çështje pas deklaratave të akademik Rexhep Qosjes.
“Atëherë po shihet qartë që prapa kësaj iniciative ka qëllime jo të mira, të them edhe politike, dhe të tentimit të instrumentalizimit edhe të këtij institucioni shkencor që është. Kjo në asnjë variant nuk do duhej të vinte në shprehje dhe deputetët tanë e kanë tërhequr nënshkrimet për ta përkrahur një iniciativë të tillë, sikurse as në grupin punues që është formuar nuk do të jetë deputeti i LDK-së”, ka thënë Beqiri.
Ai madje, e quan akademik Qosjen, zëdhënës të PDK-së, për të cilin thotë se e ka paguar partia në pushtet dhe ai po e kryen tani obligimin që ka.
“Zoti Qosja është bërë zëdhënës i PDK-së. Unë e kam thënë edhe më herët, me herët ka punuar pa para si duket, nuk e di, nëse s’ka marrë diçka në të zezën, tash po punon me para, po e financojnë, ia kanë dhënë paratë dhe tash po i kryen obligimet që ia kanë parashtruar dhe këtë mund ta vlerësoni se a po e bën në mënyrë besnike”, ka thënë Beqiri.
Ndërkaq, Burim Ramadani nga AAK-ja ka thënë se politizimi në këtë rast ka ndodhur pikërisht nga PDK-ja, e cila i ka mbledhur nënshkrimet duke e fshehur tendencën për politizimin e ASHAK-ut.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka bërë një paralajmërim për tërheqjen e nënshkrimeve për shkak të politizimit të tejskajshëm që i është bërë kësaj tentative për ndryshimin e ligjit dhe besojmë që duhet të ketë një ujdi, një marrëveshje, një konsensus politik të partive politike, në mënyrë që të mos ketë ndikim politik në Akademinë e Shkencave. Ne duhet të respektojmë punën e akademikëve të Kosovës dhe nuk guxojmë që me ta të bëjmë politikë për interesa partiake. Si Aleancë ne kemi paralajmëruar sot në Kryesinë e Kuvendit se do t’i tërheqim nënshkrimet dhe do të presim që me iniciativa tjera, duke përfshirë edhe ASHAK-un, të shihet çfarëdo lloj përmirësimi i ligjit nëse është e nevojshme”, ka thënë Ramadani.
Ramadani mendon se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot nuk është e politizuar, por PDK-ja, po përpiqet që ta politizojë institucionin më të lartë të dijes në Republikën e Kosovës.
Ndryshe, deputeti i PDK-së, Ramë Vataj, javë më parë ka inicuar procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ASHAK-un, duke mbledhur nënshkrimet nga deputetët e ndryshëm nga të gjitha grupet parlamentare. Ndryshimet që ai ka paraparë të bëhen kanë përfshirë kryesisht pranimin e kandidatëve të rinj në ASHAK. Mirëpo pas deklaratave të akademik Qosjes për politizimin e skajshëm të Akademisë nga ana e LDK-së, kjo e fundit ka reaguar, duke kundërshtuar këtë nismë, dhe duke e quajtur ‘staliniste’. Ndërkohë vetë ASHAK-u është pajtuar që të ndryshohet ligji, por ka kontestuar argumentet e nismëtarit, duke i konsideruar si të paqëndrueshme.