Hoxhaj në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtarë të Këshillit të Sigurimit do të paraqes zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik dhe social.
Një pjesë e fjalimit të Ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e shtetit.
Në këtë seancë, Ministri Hoxhaj do të dënojë dhunën e ushtruar mbi ushtarët e KFOR-it nga strukturat paralele ilegal në veri. Ministri Hoxhaj po ashtu do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së, që ta rrisin presioni mbi Serbinë, për shpërbërjen e plotë të këtyre strukturave kriminale, si parakusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan.
Gjatë qëndrimit në New York, Ministri Hoxhaj do të takohet me përfaqësues të shumë shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me diplomatë dhe personalitete të jetës publike.