Thaçi vizitë Parlamentit Norvegjez

“Në ditën e parë të vizitës, Kryeministrit Thaçi sot iu rezervua një pritje zyrtare në Parlamentin Norvegjez. Kryeministri Thaçi mori pjesë në hapjen e sesionit të Parlamentit Norvegjez, me ç'rast kryetari i Parlamentit, z. Dag Terje Andersen përshëndeti fillimin e vizitës zyrtare të Kryeministrit Thaçi në Olso”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.
“Gjatë ditës së sotme, kryetari i Parlamentetit Norvegjez, z. Andersen, i shoqëruar nga anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje të Parlamentit Norvegjez, për nder të kryeministrit Hashim Thaçi shtroi një drekë pune në ambientet e Parlamentit Norvegjez”.
Kryetari i Parlamentit Norvegjez, Dag Terje Andersen në takimin që zhvilloi me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përshëndeti progresin e Kosovës, si shtet i ri dhe ofroi mbështjetjen e mëtejshme të shtetit norvegjez për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Z.Andersen gjithashtu ofroi vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Norvegjez për Parlamentitn e Kosovës, përmes programeve të ndryshme të bashkëpunimit midis parlamentarëve dhe administratave të parlamenteve të të dyja vendeve”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi kryeparlamentarin norvegjez, Dag Terje Andersen dhe Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje për kontributin e dhënë për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës nga Norvegjia dhe mbështetjen e vazhdueshme për proceset zhvillimore në Kosovë”, vazhdon komunikata.
Në takimin me kreun e Parlamentit Norvegjez dhe me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bëri një ekspoze të gjendjes politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë u fokusua në reformat legjislative, politike dhe ekonomike, që po i bëjnë institucionet e Kosovës.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit iu përgjigj interesimit të parlamentarëve të pranishëm në takim lidhur me dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe prezantoi vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ekonomike ndërkombëtare në Kosovës, për përkushtimet e Qeverisë për respektimin afirmativ të komuniteteve dhe për çështje tjera të rëndësishme.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vazhdojë vizitën zyrtare në Norvegji edhe nesër, kur pritet të takohet me homologun e tij, Kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg, me ministrin e Punëve të Jashtme, Jonas Gahr Støre dhe me ministrin e Mbrojtjes, Espen Barth Eide.
Tema bosht e takimeve të nesërme mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit norvegjez do të jenë thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës, forcimi i mbështetjes për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe perspektiva e avancimit të procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.