Meta mbajti fjalim në Kongresin e partisë së Tadiqit

Lideri i LSI-së dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i Shqipërisë, Ilir Meta mbajti fjalim përshëndetës në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe në Beograd.
Meta mori pjesë të shtunën në Kongresin e Partisë Demokratike të Serbisë, që po zhvillon punimet në Beograd, ku mbajti edhe një fjalim. Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta është ftuar në këtë aktivitet nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, njëkohësisht edhe kreu i Partisë Demokratike serbe.
Meta ishte në mesin e pesë krerëve të delegacioneve të partive të huaj, anëtarë të Internacionales Socialiste. Kreu i LSI-së iu drejtua kongresit të kësaj partie me një fjalë të posaçme për të uruar zhvillimet e tij si dhe për të theksuar të ardhmen evropiane te dy popujve tanë.
Meta theksoi se “është një nder i madh që merr pjesë në këtë kongresi dhe se Partia Demokratike e Serbisë ka qenë motori i transformimit dhe Evropianizimit të Serbisë post-konfliktuale”.
“Me kënaqësi të madhe e shikoj se trashëgimia e Zoran Gjingjiq mbetet gjallë dhe është çuar më tej nga lidershipi i Presidentit Tadiç”, theksoi Meta, i cili një ditë para kongresit u prit nga presidenti serb Boris Tadiq, ku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.