E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet në parim Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme

Miratohet në parim Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme

Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme. Ligjvënësit gjatë debatit për këtë projektligj kërkuan kontroll më të rreptë të transportit të mallrave të rrezikshme. Deputetët po ashtu miratuan në lexim të parë edhe Projektligjin për planifikimin hapësinor.

Ligjvënësit i dhanë mbështetje Projektligjit për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, duke kërkuar një kontroll më strikt të transportimit të mallrave me përmbajtje të rrezikshme, që kalojnë nëpër rrugët dhe hekurudhat e Kosovës.. Teksa prezantoi projektligjin, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha përmendi kushtet që krijon vendosja e kornizës ligjore në këtë fushë, duke vënë theksin te mbrojtja e njerëzve dhe mjedisit.

“Krijimin e kushteve optimale për mbrojtjen e njerëzve, pronës dhe mjedisit përmes parandalimit të çdo ndotje që mund të shkaktohet nga aksidentet gjatë këtij transporti”, tha Mujota.

Gjobat për personin juridik që transporton mallra të rrezikshme me ambalazh joadekuat, është paraparë të jetë prej 500 deri në 1000 euro, ndërsa për personin fizik nga 400 deri 800 dhe nga 200 deri në 500. Por kjo, sipas deputetes së LDK-së, Teuta Sahatqija, duhet të rishikohet.

“Duhet të rishikohet pasi rreziku që i kanoset natyrës dhe jetës së njeriut është tepër i madh në krahasim me nivelin e gjobave për dështimet në mbrojtje dhe siguri të qytetarëve”, tha Sahatqija.

Edhe Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi që të ketë kontroll më rreptë dhe gjoba më të larta. Deputetët i dhanë mbështetje në parim edhe Projektligjit për planifikimin hapësinor dhe shqyrtuan edhe Projektligjin për për Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

Kjo seancë është vazhdim i seancës së të enjtes, në të cilën u zhvillua një debat i gjatë, lidhur me raportimin e kryeministrit Hashim Thaçi për takimin e tij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›