E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK-në nuk e frikëson afrimi LDK-PDK

Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk e frikëson mundësia e afrimit të Lidhjes Demokratike e Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës. Drejtuesit e LDK-së, ditëve të fundit kanë shprehur hapur mundësinë që të kenë koalicion paszgjedhor me PDK-në, ndonëse këtë e shohin si alternativë të fundit. Zyrtarët e AAK-së, parti kjo që është parë si partner i mundshëm i PDK-së, një gjë të tillë e konsiderojnë të dëmshme për vendin, duke e pasur parasysh mandatin e kaluar të qeverisjes PDK-LDK.

Stabiliteti qeverisës dhe veprimi mbi bazën e programeve të përafërta të partive politike duhet të jenë faktorët kryesorë që e lidhin një koalicion mes subjekteve politike. Kështu mendon nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas të cilit, çdo veprim artificial dhe mbi interesat e ngushta të individëve ose të grupeve të caktuara, e dëmton qeverisjen e vendit. Sipas tij, njësoj është duke ndodhur aktualisht me koalicionin mes PDK-së e AKR-së, e njësoj ka qenë edhe në mandatin e kaluar të qeverisjes PDK-LDK.

“Sesa është i qëndrueshëm një koalicion i tillë ka treguar koha sepse është thyer në gjysmë dhe nuk i meriton Kosova veprimet të cilat bazohen në interesat e indivdiëve, por duhet të bëhen veprime të cilat janë programore, me stabilitet qeverisës dhe që i kontribuojnë zhvillimit të vendit”, tha Isufi për Radio Kosovën.

Kohëve të fundit AAK-ja është parë si partner i mundshëm i PDK-së për bashkëqeverisje. Mundësisë së afrimit të LDK-së me PDK-në, Isufi thotë se AAK-ja nuk ka pse t’i frikësohet./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›