E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK për ofertë të përbashkët të partive shqiptare për veriun

Një ofertë e përbashkët e partive shqiptare për veriun. Kjo është ideja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila po diskutohet nëpër forumet e kësaj partie. Zyrtarët e AAK-së thonë se subjektet politike duhet të dalin me një ofertë të përbashkët për veriun në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Subjektet tjera politike nuk kanë një qëndrim të prerë nëse janë për atë që të mbështetet një ide e tillë. Sidoqoftë, shumica prej tyre kanë paralajmëruar se do të garojnë me kandidatët e tyre në komunat e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka një ide për pjesëmarrjen e partive shqiptare në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Ernest Luma thotë se ideja për një listë të përbashkët të partive shqiptare në komunat veriore të Kosovës, do të diskutohet në forumet e partisë, para se të bëhet zyrtare. Ai thotë se partitë shqiptare duhet të jenë unike në zgjedhjet lokale në komunat e veriut të Kosovës.

“Kësaj radhe konsiderojmë që prapë partitë shqiptare duhet të konkurrojnë në këto zgjedhje dhe në të njëjtën kohë duhet të jenë unike që të dalin konsiderojmë me një listë dhe ofertë të përbashkët për veriun”, tha Luma.

PDK e LDK nuk e përjashtojnë mundësinë që ta mbështesin një ide të tillë, nëse ka një pajtueshmëri të plotë. Sidoqoftë, Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së, shprehet skeptikë nëse partitë shqiptare do të merreshin vesh.

“Ne së pari nuk duam të kopjojmë ato apetitet serbe si duan ata të dalin me një listë, sepse ne jemi demokratë, jemi të organizuar si duhet dhe nuk na mundon kjo. Por po që se është nevoja dhe nëse ka një pajtim të nivelit si duhet ka mundësi që edhe kjo të ndodhë. Por megjithatë, kryesisht njerëzit duan të bëjnë koalicione të tilla, por secili dëshiron të bëhet kryetar vetë”, tha Musmurati për Radio Kosovën.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova thotë se LDK-ja nuk ka qëndrim sa i përket idesë për listë të përbashkët, por se mund të ofrojë mbështetje aty ku i ka gjasat më të vogla për të fituar.

“Deri të finalizohen listat, të cerfitikohen nga KQZ-ja dhe të shohim përbërjen edhe listat e kandidatëve për asambletë komunale, por edhe listat për kandidatë për kryetarë të komunave, atëherë do ta marrim një qëndrim, të shohim kë mund ta përkrah LDK-ja aty ku i ka shanset e vogla, ose minimale”, tha Rugova për Radio Kosovën.

Analisti politik Belul Beqaj thotë se nuk ka rëndësi kush fiton në veri, por vetëm të respektohet ligji dhe kushtetuta. Sidoqoftë, zgjedhjet po marrin karakter etnik, që është në kundërshtim me vlerat e Kosovës dhe të BE-së.

“Zgjedhjet nuk janë të karakterit etnik, ndonëse ato kanë marrë si duket totalisht përmasa etnike, që është në kundërshtim me konceptin e tërësishëm si po ndërtohet Kosova, si po ndërtohet edhe Bashkimi Evropian”, tha Beqaj.

Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit me një listë të përbashkët, mirëpo serbët e Kosovës janë të ndarë rreth një ideje të tillë të Beogradit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›