AAK ua uron të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin

Duke uruar mbarë shqiptarët për unitet dhe mirëkuptim midis tyre, AAK vlerëson se Festa e Flamurit Kombëtar duhet t’i bashkojë shqiptarët në rrugën që është synim i të gjithë neve drejt familjes së madhe të vlerave euro-perëndimore.
AAK e kujton këtë ditë si një prej momenteve më të rëndësishme të kombit tonë, si ditë të sakrificës, të dinjitetit dhe të krenarisë sonë kombëtare.
“Në këtë 28 Nëntor, në kohën kur shteti ynë po përballet me sfidën e madhe të veriut, AAK rikonfirmon se kompromisi më i madh i popullit të Kosovës për veriun dhe të ardhmen tonë ka qenë dhe do të mbetet Pakoja e Ahtisaarit, kurse çdo diskutim jashtë saj, e vë në pikëpyetje stabilitetin edhe në kufijtë tjerë të rajonit”, thuhet në urim.
AAK fton për më shumë mirëkuptim e unitet dhe angazhim më të madh dhe më të përkushtuar në shtrirjen e shtetit të Kosovës në mbarë territorin dhe për punë më të përgjegjshme në jetësimin përfundimtar të idealeve të popullit tonë, për mirëqenie, dinjitet e krenari kombëtare e qytetare.