E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët bisedojnë me ACR-në në Ministrinë e Punës

Përfaqësuesit e minatorëve ndodhen në Ministrinë e Punës, vend i caktuar nga vetë ata për bisedimet me kompaninë ACR.

Minatorët kërkojnë në këtë takim plotësimin e kërkesave të tyre të ripërsëritura dhe do presin firmosjen e një marrëveshje deri në orën 12:00 të ditës së sotme. Në rast të kundërt, ata kanë paralajmëruar se do t’i bashkohen grevës së urisë.

Ndërkohë, 13 minatorët e tjerë kanë hyrë sot në ditën e 19-të të grevës së urisë, megjithëse ndodhen në gjendje tepër të rënduar shëndetësore. Greva zhvillohet në kushte shumë të vështira, 1 400 metra në thellësi të minierës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Në këtë pikë të galerisë ajri ka tepër lagështirë dhe dioksid karboni, çka rrezikon seriozisht jetën e tyre.

Në një kohë që ende nuk ka asnjë marrëveshje me ACR-në, minatorët i kanë drejtuar kësaj kompanie një tjetër kërkesë që skadon sot në orën 12:00. Komisioni i Grevës dhe Sindikata e Minatorëve kërkojnë plotësimin e kërkesave, ose përndryshe, të tjerë minatorë do ngujohen në grevën e urisë, duke injoruar kështu vendimin e RISHM për të nxjerrë nga galeria minatorët e ngujuar në grevë urie. /Start/

                                                                                             2011-08-12 10:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›