E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit në "arrest shtëpie" do të ruhen me GPS

TIRANE- Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deklaron se sistemi i drejtësisë do ti nënshtrohet një reforme të thellë, në të cilën do të përfshihet dhe sistemi i funksionimit të burgjeve.Nga Elbasani, ku ishte i pranishëm për inspektimin e punimeve të godinës së re të paraburgimit, Halimi tha se prioritet i ministrisë së Drejtësisë është aplikimi i dënimeve alternative për të cilat do të forcohet dhe sistemi i sigurisë.

Halimi foli dhe për një projektin e dixhitalizimit, i mbikqyrjes elektronike të atyre të dënuarve, të cilët nuk kanë rrezikshmëri shoqërore.

Sipas tij "Njerëzit që janë me arrest shtëpie nuk do të ruhen me policë, por me sistem dixhital, një pajisje, që do të vendoset në trupin e personit dhe do të identifikohet me GPS në pak milimetra distancë nga vendndodhja e tyre, duke garantuar nga njëra anë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe nga ana tjetër sigurinë publike", nënvizoi Halimi.
Ai sqaroi se dixhitalizimi do të jetë një nga reformat shumë të shpejta të Ministrisë së Drejtësisë, që do të sjellë sigurinë e publikut, do të ulë nivelin e korrupsionit edhe për sistemin e burgjeve, edhe për sistemin gjyqësor.
Halimi e cilësoi ndërtimin e godinës së re të paraburgimit në qytetin e Elbasanit si një nga ndërtesat me siguri të lartë dhe me kushte bashkëkohore të Bashkimit Europian.
“Personat të cilët kryejnë vepra penale duhet të kryejnë dënimin në vende të sigurta, duke siguruar qytetarët, që ky kontigjent nuk do të ketë rrezikshmëri shoqërore", tha ministri i Drejtësisë.

Godina e paraburgimit është një investim i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Qeverisë Shqiptare, me një vlerë prej 4 milionë euro

Kompleksi është ngritur në ambientet e brendshme të ish- Kombinatit Metalurgjik. Ai përbëhet nga dy godina me 120 vende, ku 80 janë për të dënuarit meshkuj, 20 për femra dhe 20 të tjera për të rinjtë nën moshën 16 vjeç.
Ndërtimi i godinës së paraburgimit ka nisur në fund të vitit 2009 dhe parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2011. Godina shtrihet në një sipërfaqe rreth 3 mijë metra katrore dhe veç dhomave të paraburgimit, përmban edhe infrastrukturë moderne për kënde lojrash, fusha futbolli, volejbolli e basketbolli, salla studimi, bibliotekë, objekte kulti, ambiente rekreacioni etj.
Përfundimi i paraburgimit në Elbasan do të lehtësojë mbipopullimin e burgut të Peqinit dhe burgjeve të tjerë, të cilët veç të dënuarve kanë akomoduar edhe të paraburgosur. Ai do të krijojë lehtësira për Gjykatën, Prokurorinë, si edhe policinë e Elbasanit dhe atë të Peqinit, duke përgjysmuar shpenzimet e tepërta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›