E Shtunë, 31 Tetor 2026

ACR reagon për grevën, “Është politike, të rinisë puna”

Në ditën e pestë të grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, reagon për mikrofonin e “Ora News”, Drejtori i firmës austriake “ACR”, Giga Bedineishvili. Sipas drejtuesit të ACR-së, greva e minatorëve po përdoret prej drejtuesve të saj në mënyrë politike dhe për këtë nuk pranojnë që të diskutojnë. Ndërkohë, përsa i përket kërkesës së fundit të minatorëve për rritjen e rrogës me 40 përqind, Bedineishvili shprehet se nuk do të pranohet dhe bën thirrje që të lirohen zyrat e ACR dhe të rifillojë puna sa më parë.
 

“Ne kërkojmë një diskutim me minatorët dhe jo me njerëz të jashtëm, pasi greva po përdoret edhe për arsye politike të drejtuesve dhe kjo vërtetohet edhe prej ndryshimit të herëpas`hershëm të kërkesave të minatorëve. Ne duam një përfaqësi prej 3-4 minatorësh që të vijnë dhe u premtojmë se do diskutojmë pozitivisht. Ndërkohë përsa i përket rritjes së rrogës me 20 përqind ne ramë dakort por me kërkesën e re për rritje rroge me 40 përqind, nuk biem dakort absolutisht. Unë personalisht e di që puna në miniera është e vështirë dhe e mbështes edhe grevën e urisë por jo kur ajo bëhet në interest të të tjerëve. Besoj se 90 përqind e minatorëve dëshirojnë që të kthehen në punë por ata manipulohen nga njerëz të jashtëm. Kërkesat e mia për minatorët janë që të lirojnë sa më parë zyrat e administratës dhe të rikthehen në punë pasi është edhe në interesin e tyre pasi në këtë mënyrë edhe ne do pranojmë që të diskutojmë. ACR aktualisht është në proces investimesh dhe së shpejti pritet që vihen në punë teknologji të reja për të arritur në rezerva të reja kromi”, tha më tej ai.
 

Në thellësitë 1400 metra, 15 minatorë vazhdojnë grevën e urisë, të vendosur në kërkesat e tyre edhe pse pse gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ditët e fundit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›