Bulqizë, greva e minatorëve, ende asnjë zgjidhje
100 minatorë do ti bashkohen grevës së urisë ditën e hënë, nëqoftëse kushtet e parashtruara ditë më parë nuk plotësohen.
Eskluzivisht për RTV “Ora News” nga Bulqiza, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci, shprehet se 16 grevistë tashmë kanë ndërprerë çdo lloj komunikimi me botën e jashtme, duke bllokuar dhe ashensorin, por në të njëjtën kohë, kërkojnë që në rrugë ligjore të zhvillohen bisedimet me drejtuesit e ACR.
16 minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e pestë të grevës së urisë që zhvillohet 1400 metra nën tokë, në minierën e Bulqizës. Minatorët kanë ndryshuar dy pika të kërkesës së tyre atë për rritjen e pagës dhe largimin e administratorit aktual të ACR.
Ata shprehen të vendosur të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen me 40% të pagës, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së pensionit dhe largimin e subjekteve të palicencuara.