ADN për herë të parë, kryhet analiza në laborator
Aparatura e vendosur në laboratorin e kriminalistikës në ministrinë e Brendshme ka realizuar analizat e para të ADN, por këto janë kryer te punonjësit e këtij institucioni dhe gjithçka ka qenë nën mbikëqyrjen e specialistëve anglezë të cilët kanë montuar edhe këtë aparaturë. Burime nga ministria e Brendshme bënë të ditur se pas montimit të kësaj aparature shteti jonë ka mundësi të kryej analizën e ADN, por kjo analizë kërkon edhe një staf mjaft të kualifikuar. Kështu deri në trajnimin e stafit analizat apo profili i ADN mbetet vetëm mes punonjësve të ministrisë. Por çfarë është ADN? Këto tre shkronja janë shkurtimi i acidit dezoksiribonukleik, e cila është një molekulë komplekse që gjendet në brendësi të qelizave të trupit dhe që përmban informacionin që përcakton karakteristikat e një individi, siç janë gjinia, raca, ngjyra e syve dhe e flokëve. ADN gjendet te sendet me njolla gjaku, te sekrecionet e pështymës dhe ato të hundëve si dhe të fijet e flokut, qelizat e vdekura të lekurës apo edhe te djersa.