E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, PS: Qeveria të ndihmojë te dëmtuarit!

TIRANE-Partia Socialiste pasi shprehu sot shqetësimin për situatën në disa zona që kanë pësuar përmbytje nga reshjet e shiut i bëri thirrje qeverisë që të mbështesë financiarisht çdo familje e biznes të dëmtuar.

Deputeti i zgjedhur i PS, Ilir Beqja në emër të Partisë Socialiste shprehu sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, shqetësimin për situatën e rënduar që është krijuar në disa zona të vendit si pasojë e rreshjeve të ditëve të fundit.
“Janë me qindra hektarë tokë bujqësore e kullota në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Peqin të mbuluara nga uji, duke shkatërruar krejtësisht punën e mundin e fermerëve të këtyre zonave. Janë me dhjetëra biznese që kanë pësuar dëme të mëdha dhe qindra banorë që sot s’guxojnë të kalojnë natën në shtëpitë e tyre nga frika e përmbytjeve”, u shpreh Beqja.
Sipas tij, drama rëndohet kur qeveria per vite me radhe ka bere veshin e shurdher ndaj e tilla situatave te perseritshme cdo stine vjeshte. “Është e pafalshme që në një kohë kur qeveria flet për investime të mëdha e për zhvillimin e bujqësisë, për të katërtin vit rrjesht ajo dështon të marrë qoftë edhe masat më minimale për të parandaluar këtë gjëndje që sot nuk mund të quhet më e paparashikueshme. Sepse përmbytjet e ditëve të fundit nuk vijnë as nga ndryshimet klimatike e as nga ngrohja globale”, theksoi Beqja.
Ndërsa vuri në dukje se masat duhet të merreshin që në sezonin e verës, Beqja tha se sot “Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë Berisha që në këtë moment të vështirë për këto qindra familje në nevojë, të mbështesë financiarisht çdo familje e biznes të dëmtuar ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet fqinje më Shqipërinë në situata të ngjashme”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›