AEK shkarkon trajnerin Ferrer

AEK-u i Athinës shkarkoi trajnerin spanjoll Lorenco Serra Ferrer. Asistenti i tij, Nikos Kostenoglou, është ngarkuar përkohësisht me detyrën e teknikut të "verdhezinjve" helenë, për të udhëhequr skuadrën në ndeshjen e Kupës UEFA kundër klubit spanjoll, Getafe.
Serra Ferrer, ish-trajneri i Real Betis në Spanjë, mori drejtimin e AEK-ut në vitin 2006. Klubi athiniot rrëshqiti në vendin e tretë në Super Ligë pasi humbi dy ndeshjet e fundit. AEK ka 42 pikë pas 20 ndeshjesh, dy më pak se Olimpiakos dhe katër më pak se lideri i kampionatit, Panathinaikos. Te AEK luan edhe shqiptari i natyralizuar si grek, Panajot Kone, ndërkohë që Përparim Mehtemaj u huazua te Apollon Kallamarja.