AGNUS DEI!?

Kinema ABC ishte përplot me shikues sepse aty jepej filmi tradicional, mirëpo, në versionin modern “SkyFall 007 ”. Në anën tjetër - Kinema ABC1, ishte totalisht e zbrazët pa shikues të vetëm sepse jepej filmi kosovar i realizuar nga regjisori Agim Sopi “Agnus Dei”.
Pse?! Në ditët e sotme kur tregohet një prirje e vazhdueshme për vetënjohje dhe konfirmim të vlerave autoktone –Kinema ABC1 e sapohapur mbetet totalisht e zbrazët! Në kushte normale shikuesit kosovarë duhen të interesohen edhe për filmin vendor përveç atij amerikan apo jo? Filmi nuk është arti i vetëm i cili ndikon në sistemin e vlerave por është ndoshta forma më aktive në ndryshimin e tyre! Kjo po ashtu d.m.th. se ky ndikim mund të jetë pozitiv ose negative. Nëse merret në konsideratë se çfarë ishte oferta e regjisorit Agim Sopi e cila ishte kërkesa e shikuesve atëherë ky ndikim ishte negativ në të gjitha dimensionet.
Narracioni: Filmi fillon me muzikë komemorative e interpretuar nga ciganët serbë dhe civilët shqiptarë të cilët nxjerrën nga autobusi me dhunë dhe drejtohen nga civili serb. Në fshatin kosovar pas 20 e më shumë viteve rikthehet për festën e të vdekurve, Marija (Zhaklina Oshtir).Marija takohet rastësisht me Din Malaj (Bislim Muqaj) e aty jepen informatat e para për shikues se kush është Dini, si ishte zhvilluar marrëdhënia reciproke dhe me cilin epilog. Mirëpo dashuria e Dinit ndaj Marisë dhe vrasja e vëllait të tij nga forcat serbe, sikur humb në rëndësi me teatralitetin e dialogut, gjestit dhe mimikës e cila thuhet përjashta norme nga ana e Nimon Muqaj.
Me kalim kohe dashuria e Marisë është e shndërruar në urrejtje dhe Marija do të intervistohet për dëmtimin e varrezave serbe nga terroristët shqiptarë e kjo nënkupton edhe mobilizimin e vazhdueshëm të civilëve serb (këndvështrim serb). Elipsa në narracion zbulon Marinë duke bërë seks me një kapedan të ushtrisë serbe (Selami Taraku) si mekanizëm kompenzimi për jodashuri ndaj Stojanit, burrit të saj alkoolik. ‘Bludnica majka’ ose ‘siptarska kurva..” të cilat shumë shpesh dëgjohen nga Stojani, sikur sugjerojnë biografinë e Marisë dhe pozicionin e trashëguar nga e kaluara për reputacionin e djalit Petar (Astrit Alihajdaraj). Ky është një realitet kur Petar është mësues i zakonshëm me librin e Tolstojit nën krah dhe larg një bande të çetnikëve, provokative në një lagje në periferi të Beogradit.
(Petar do t’i kontrollojë këta më vonë në Kosmet!) Në këto rrethana të krijuara, Petar dëshiron të largohet nga lufta mirëpo mobilizohet dhunshëm në një autobus për Budapest! I lajmëruar nga nëna e tij Marija Vukadinoviç! Elipsa (2) e paraqet ushtarin Petar në frontin në Kosovë nën komandën e Vojvodës (Enver Petrovci). Djegia e shtëpive, spastrimi i terrenit, mirëpo edhe një keqardhje për vajzën 10-12 vjeç e cila duket e vetëm si e ngrirë në mesin e kufomave - skenë e cila për nga gjuha dhe shtimungu duket ireale dhe e pamotivuar deri në fund - zbulojnë natyrën e vjetër të Petar e cila fillon të ndryshojë, transformohet në negacion! Mirëpo, njëri ndër aksentët kryesorë të filmit – shndërrimi i Petrit në vrasës, mbetet i papërfunduar deri në fund dhe në këto rrethana protagonisti mbetet statik pavarësisht veprimet fizike (vrasja e të atit..) e nuk mund të flitet për funksione 3D!
Festa e forcave serbe si zakonisht me muzikë cigane, zhvillohet në kontrapunkt me reagimin patetik të gruas shqiptare (Lumnije Muqaj) vazhdon me kërkimin e burrave shqiptarë dhe vazhdon me reagimin impulsiv të biznesmenit shqiptar, i cili apriori blen jetesën e vajzës, po edhe civilëve shqiptarë (Blerim Gjoci). Sekuenca vazhdon me varrosje të kufomave, dëmet kolaterale dhe dialog komik. Komedia e suksesshme do të ndërtohet rreth vojvodës – roleve të forta me autoritet të cilët shumë shpesh veprojnë në situata tragjike.
Dialogu komik i ciganëve fatkeqësisht degradon figurën e Bekim Fehmiut duke e shndërruar në “hero cigan!”(këndvështrim serb). Pas sulmit të forcave të UÇK-së dhe viktimave serbe vazhdohet me hakmarrje kolaterale. Petar së bashku me qetën e çetnikëve futet në shtëpinë e Din Malajt dhe këtu do kryhet vrasja në formë rituali. Veprimi tragjik do të kryhet, mirëpo shikuesve i mungonte informata konkrete pse duhet të ndodh kjo?
Aksenti kryesor i filmit mbetet kaotik dhe unë personalisht këtë veprim nuk e kuptova si një domosdoshmëri! Tek Edipi çdo gjë do të ndërtohet rreth fatlumit, këtu nuk ekziston moment i zgjedhjes dhe shumë më herët ishte e parashikuar se do ta vriste të atin e do të bënte seks me nënën! Din Malaj duhet të vritet vetëm se është shqiptar. Vetëm se dikur Dini dhe Maria ishin së bashku të dashuruar? Vija e veprimit shumë më tepër zhvillohet në drejtim të Hamlet-Orestit se sa Edipit! Bashkëshortja (Aurita Agushi) e Dinit do të vdes nga frika prej dhunimi!” Maria-junior”(Dafina Berisha) do të largohet shëndosh e mirë nga shtëpia me ndihmën e dyerve anësore. Sekuenca përfundon me djegien e shtëpisë dhe me pendesën e Petar për veprimin e kryer!
Karakteri i personazhit: Në këtë model narracioni gati çdo gjë zhvillohet rreth protagonistit Petar Vukadinoviç (Astrit Alihajdaraj) që prej fillimi deri në fund imponohet si një bërthamë veprimi. Figura e Astritit ishte e plotë në të gjitha dimensionet e saja individuale& sociale. Astriti ishte në gjendje të rikrijojë jetën e brendshme të Petar me të gjitha aspektet pavarësisht nga dallimet historike-gjeografike-sociale. Aktorja kroate Zaklina Oshtir, paraqitet në prolog &epilog. Në interpretimin e saj ndoshta vërehej tendenca dhe nervi i brendshëm për të bërë diçka të re, për të kërkuar e gjetur nuanca, detaje të reja edhe pse shpërthimi në fund nuk dallonte nga urrejtja në fillim, e duhej të dallonte varësisht nga rrethanat e zhvilluara. Marija-Grua, qan fatin e saj tragjik të mbyllur brenda mureve.
Ajo mallkon! Është mallkimi i një nëne të mashtruar e cila e kërkon të vërtetën. Në përgjithësi një interpretim i natyrshëm dhe i besueshëm i Zaklina Ostir. Aktorja e re Dafina Berisha nuk ishte në gjendje ta kapë si duhet rolin me brendi emotive. Interpretimi i saj ishte teatror dhe me citim të shpeshtë të tekstit. Zhveshja e saj para kamerës nuk kompenson shkapërderdhjen e emocioneve, rrëshqitjen e rolit nga dora dhe denigrimin në përmbajtje. Të gjitha rolet tjera imponohen si role periferike të cilat në mënyrë të vetëdijshme ose jo të vetëdijshme vështirësojnë pozicionin e protagonistit. Këto role imponohen si stereotipe (Enver Petrovci, Çun Lajçi, Selami Taraku, Bajrush Mjaku, Mentor Zymberaj, Ismet Azemi, Blerim Gjoci, Fatos Berisha, Luan Daka, Lumnije Muqaj, Aurita Agushi) si role karikaturë (Adem Mikullovci) ose si personazhe të veçanta (Bislim Muqaj).
Realizimi vizuel: Pjesa dërmuese e kuadrove realizohet me përdorimin e “travelling”, i cili si zakonisht ka për detyrë ta përcjellë zhvillimin e ndodhisë. Në shumicën e kuadrove vozitja e kamerës ishte në gjendje të dinamizonte sekuencat, skenat, e të krijojë tempo-ritëm. Vozitja më shpeshtë e cila do të aplikohet për regjistrim vizuel ishte vozitja paralele dhe panorama. Kameramani Menduh Nushi në shumicën e rasteve ishte i sigurt dhe kreativ. Përjashtim bën skena e fundit ku dialogu në mes të Maria-nënë dhe Petar përcjellët me shvenk të shpeshtë majtas-djathtas duke e dridh njëkohësisht kuadrin në detale.
Ndriçimi i duetit maqedonas ishte në gjendje të krijojë shtimung në lidhje me situata dramaturgjike. Skena me vajzën adoleshente e cila qëndron si e ngrirë mbi kufoma ndryshon me stil ndriçimi dhe atmosferë, mirëpo paraqet një defekt në raport me kontekstin e ndodhisë! Nëse merret parasysh se montazhi i filmit është montazh linear, këtu nuk mund të flitet për kreativitet të veçantë. Thënë të drejtën unë krijova përshtypje se ky projekt filmik është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Serbisë e jo nga ajo e Kosovës.
Në 80 përqind të filmit flitet në gjuhën serbe, ndërsa heroi & antiheroi vjen nga Beogradi. Agim Sopi si duket do harrojë se komunikimi themelor me audiencën është gjuha. Nëse merret parasysh se mosha më e shpeshtë e cila viziton kinemanë është 18-22 vjeç, nuk është bizare se salla për dy net radhazi ishte totalisht e zbrazët. Pas këtij projekti Agim Sopi shumë shlirë mund të vendoset në vitrina.
Jeton Budima (regjisor, kritik arti dhe bashkëpunëtor i gazetës Express)