E Shtunë, 31 Tetor 2026

AGPK e shqetësuar rreth pengesave të gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka ngritur edhe një herë shqetësimin rreth pengesave që po iu bëhen gazetarëve për të pasur qasje në dokumentet zyrtare.

Në një komunikatë për media, AGPK thekson se është koha e fundit që të hartohet ligji për qasje në informacion.Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) kohën e fundit i janë adresuar disa ankesa dhe shqetësime nga gazetarët, rreth pengesave që po iu bëhen atyre për të pasur qasje në informacion dhe në dokumentet zyrtare, në institucionet publike dhe qeveritare.

Ky problem ka qenë në vazhdimësi preokupim i AGPK-së dhe që në fillim të vitit 2009, nëpërmjet protestës, ka ngritur zërin kundër këtyre pengesave, të cilat bëhen si pasojë e mangësive në Ligjin për Qasje në Dokumentet Zyrtare.

Amandamentimi i ligjit është në përfundim e sipër dhe AGPK ka dërguar rekomandimet e veta, të cilat janë marrë në konsideratë nga hartuesit e ligjit. Para se ligji të dërgohet në Kuvend për miratim, AGPK do ta shikojë edhe njëherë, në mënyrë që të sigurohet se rekomandimet janë përfshirë në të.

Pavarësisht kësaj, AGPK edhe njëherë kërkon fuqishëm nga të gjitha institucionet e Kosovës që t'u lejojnë gazetarëve që në çdo kohë të kenë qasje në informacion dhe në dokumentet zyrtare. Transparenca institucionale tregon për nivelin e demokracisë në vend. Prandaj, pengesat që po iu bëhen gazetarëve në këtë aspekt tregojnë se pushteti në Kosovë është larg zhvillimit të një demokracie të mirëfilltë.

AGPK konsideron se është koha e fundit që të hartohet edhe ligji për qasje në informacion, në mënyrë që gazetarët ta kenë me ligj të garantuar marrjen e informacionit në çdo moment dhe kurdo që iu duhet, pa pasur nevojë për procedura burokratike, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›