E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1, 19 raste në Shqipëri

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Gripi i Derrave

“Specialistët pranë këtij instituti argumentojnë se të 11 rastet ka shumë gjasa të konfirmohen, pasi kështu ka ndodhur edhe me pacientët e dyshuar më pare”

“Numri më i madh i pacientëve dhe rasteve të dyshuar me A/H1N1 janë nga Tirana, por nuk mungojnë edhe rastet nga rrethet. Janë në proces edhe mbi 290 mostra të tjera, ndërkohë që çdo ditë paraqiten mostra të reja”

Mbërrin në 19 persona numri i rasteve me grip derrash në Shqipëri. Pas 8 rasteve të konfirmuara edhe nga Laboratori i Referencës në Londër, Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se janë dërguar për konfirmim edhe 11 raste të reja, që në laboratorin tonë kanë rezultuar pozitive. Sipas Silva Binos, specialiste pranë këtij instituti, 11 rastet ka shumë gjasa të konfirmohen, pasi kështu ka ndodhur edhe me pacientët e dyshuar më parë.
Mosha
Bino bën të ditur se numri i pacientëve të prekur deri më tani, i përket moshës aktive të popullatës nga 24 deri 45 vjeç. Megjithatë, specialistja e ISHP-së, përcjell lajmin e mirë se rastet e konfirmuara në vend kanë dëshmuar se kemi të bëjmë me një formë të lehtë të pandemisë së gripit të derrave. Sipas Binos, numri më i madh i pacientëve dhe rasteve të dyshuar me A/H1N1 janë nga Tirana, por nuk mungojnë edhe rastet nga rrethet. Mostrat
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik dëshmojnë se janë në proces edhe mbi 290 mostra të tjera, ndërkohë që çdo ditë paraqiten mostra të reja të marra nga poliklinika dhe qendra shëndetësore të ndryshme të vendit.
Kurimi
Të gjitha rastet e shfaqura në Shqipëri me virusin A-H1N1 kanë simpoma të lehta. Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar në buletinin e radhës, lidhur me ecurinë e shpërhapjes së këtij virusi në vendin tonë se shenjat e shfaqura ishin temepratuië më e ulët se 38 gradë celcius, dhembje koke, dhembje fyti, dhembje muskulare dhe lodhje. Sipas ISHP-së, vetëm dy raste të mundshme paraqesnin shenja klinike, për të cilat u gjykua shtimi në spital dhe vetëm për një rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me Tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. Dy raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me Tamiflu. Në Shqipëri janë konfirmuar deri tani 8 raste me gripin e derrit dhe 11 raste të tjera dyshohen si të mundshme.
Kosovë
Ndërkohë në Kosovë deri më tani janë shfaqur vetëm dy raste. Sipas të dhënave autoritet shëndetësore kosovare kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mundshme të gripit të derrave dhe për këtë arsye nuk ka vend për panik.

Shenjat e sëmundjes
Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me ato të gripit të zakonshëm: temperaturë, kollë, dhembje fyti, dhembje trupi, dhembje koke dhe plogështi. Në disa raste mund të paraqitet edhe vjellja dhe diarreja. Komplikim më i shpeshtë i sëmundjes është pneumonia.

Si përhapet gripi
Virusi i gripit të derrave përhapet në të njëjtën mënyrë si gripi i zakonshëm (sezonal). Virusi përhapet nëpërmjet ajrit nga një person në tjetrin gjatë kollitjes dhe teshtitjes së personave të sëmurë me grip. Virusi përhapet edhe duke prekur gojën, hundën dhe sytë me duar të papastra apo gjësendet që përmbajnë virusin e gripit. Personi i infektuar me virusin e gripit të derrave përhap sëmundjen tek personat e tjerë një ditë para se të shfaqen shenjat e sëmundjes dhe shtatë ditë pasi të jenë shfaqur shenjat e sëmundjes.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›