A/H1N1/ Kosovë, Min. e Shëndetësisë: S'ka vend për panik
Mjekët dhe zyrtarët e shëndetësisë kosovare thonë se nuk ka arsye për panik pas shfaqjes së virusit A/H1N1 në Kosovë, pasi sipas tyre i infektuari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë marrë të gjitha masat që rasti të jetë i izoluar. I prekuri nga gripii derrit është një fëmijë 9 vjeçar, lindur e rritur në Mbretërinë e Bashkuar, nxënës i një shkolle, e cila për shkak të dyshimit në grip, është mbyllur para një kohe. Mjekët thonë se vogëlushit i janë shfaqur simptomat gjatë udhëtimit për në Kosovë. Të hënën u raportua për faktin se tashmë edhe Kosova i shtohet listës së vendeve të prekura nga virusi A/H1N1 dhe vendi i fundit në Ballkan ku nuk ishte regjistruar prania e virusit. Rastin e parë të këtij virusi e ka konfirmuar të hënën zyrtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Sami Uka, i cili ka sqaruar se personi me virus, pak ditë më parë, ka arritur në Kosovë nga Britania e Madhe, dhe se për momentin gjendja e pacientit është e mirë. Zyrtarët shëndetësorë kosovarë po hetojnë nëse edhe anëtarë të tjerë të familjes janë te prekur nga gripi i derrit.