E Diel, 1 Nëntor 2026

A/H1N1 OPS, raste të rezictencës ndaj antiviralit "Tamiflu"

Organizata Panamerikane e Shëndetësisë, OPS njoftoi se pranë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës janë konstatuar disa raste rezistente ndaj Tamiflusë, medikamentit kryesor antiviral kundër gripit të derrave. "Kemi gjetur disa raste rezistence ndaj tamiflusë në kufi. Kemi vërejtur disa raste, për disa prej të cilave jemi të sigurt, në El Paso dhe pranë McAllen, në Teksas (në jug të Shteteve të Bashkuara)", deklaroi Maria Teresa Cerqueira, shefe lokale e zyrës së OPS-së. Cerqueira shpjegoi se personat tek të cilët është zbuluar një rezistencë ndaj Tamiflusë, një antiviral i laboratorit farmaceutik zviceran Roche, e kalonin shpesh kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe se këta pacientë e kishin marrë vetë mjekimin.
Gjatë muajit korrik, është konstatuar një rast i rezistencës ndaj tamiflusë në Kanada. Dhe ky ishte rasti i parë në Amerikën e Veriut. Laboratori Roche ka njoftuar se pret 0,5 përqind rezistencë ndaj antiviralit sipas rezultateve të provave klinike. Që prej shfaqjes në fillim të vitit, gripi A/H1N1 ka shkaktuar 353 të vdekur në Shtetet e Bashkuara dhe 143 në Meksikë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›