AI thirrje Egjiptit: Zbato reformat në ushtri e polici

“Amnesty Internacional” i ka bërë thirrje Egjiptit që të zbatojë reformat në polici dhe ushtri. Lidhur me këtë organizata ka publikuar dy raporte që dënojnë abuzimin e të drejtave të njeriut në Egjipt nga forcat e sigurisë.
Sipas raportit abuzimet nga policia dhe ushtria egjiptiane kanë vazhduar pa u ndëshkuar edhe pas rrëzimit të regjimit të gjatë autoritar të presidentit Hosni Mubarak në shkurt të vitit 2011.
Suzzanne Nossel, drejtoreshë ekzekutive e degës së organizatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkoi nga presidenti i ri i Egjiptit, Mohammed Morsi, që ta trajtojë trashëgiminë e përgjakshme të abuzimit të zyrtarëve, si dhe të garantojë se në Egjipt askush nuk është mbi ligjin.
Amnesty International gjithashtu ka kërkuar nga autoritetet e vendit që t`i lejojnë vizitat e ekspertëve të OKB-së në qendrat e dënimit, gjë që nuk është lejuar nga regjimi i mëhershëm.