AK: Kemi fituar disa qytete, Rama manipuloi me sondazh

(E plotësuar) Menjëherë sapo mbaroi procesi i votimit, në orën 19.00, kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu doli me një deklaratë për shtyp, ku konfirmoi fitoren spektakolare të Aleancës KuqeZi në Tiranë. Si tha ai, AK-ja ka marrë një ortek votash në kryeqytet, po ashtu edhe në disa nga qarqet kryesore të vendit. “Edhe këtë herë në Shqipëri nuk u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme por muskujt e PS dhe PD treguan forcën e tyre për të grabitur votën e shqiptarëve. Megjithëkëtë AK ka mundur të administrojë votën e kuqezinjve dhe ne ju themi se do të shënojmë një fitore madhështore në këto zgjedhje. Vota kuqezi do të triumfojë dhe ne do ta mbrojmë atë me çdo kusht. Nëse do të prekni një votë të vetme do të jeni në gjak me aktivistët e Aleancës KuqeZi”, deklaroi Spahiu.
Ai konfirmoi fitoren e disa mandateve në Tiranë, kurse tha se AK ka fituar Kavajën, Fierin, Elbasanin, Durrësin dhe Vlorën.
Lideri i AK ka denoncuar edhe sondazhin e IPR Marketing dhe televizionit Ora News, të cilin e ka cilësuar si të paguar nga kreu i PS, Edi Rama. “Pas pak minutash do të shikoni një sondazh të manipuluar nga Edi Rama, ashtu siç ka bërë prej dy muajsh”, tha Spahiu.
----
Vijojnë daljet publike të zyrtarëve të partive politike në lidhje me rezultatet zgjedhore paraprake.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu shprehu bindjen për fitoren e PD-së bazuar në sondazhet e kësaj force por edhe në exit poll-et e kryera nga CIVITAS Albania.
"Këto sondazhe janë rezultati më i mirë për besuar tek fitorja jonë", tha Bregu.
Ajo i bëri thirrje mbështetësve që të presin rezultatet zyrtare dhe të jenë të qetë në pritje të certifikimit të asaj, që Bregu e quajti fitore historike.
Bregu theksoi se rezultatet e deritanishme tregojnë pjesëmarrjen më të madhe të votuesve në bastionet e PD-së.
-----
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta shprehu bindjen se Aleanca për Shqipërinë Europiane ka në kuti të paktën 80 mandate dhe LSI ka 15-20 mandate.
"Këto rezultate ne i bazojmë në të gjitha të dhënat tona dhe përmes Exit Poll-eve me institute tepër serioze. Kutitë do të hapen do të numërohen votat. Janë të paktën 80 mandate, për më shumë nuk mbaj përgjegjësi", tha Meta, sipas të cilit fitorja e të majtëve është plebishitare.
Meta bëri thirrje që Policia e Shtetit të qëndrojë larg kutive dhe Kryeministri të zbatojë rregullat.
"Do të jemi këtu derisa të numërohet vota e fundit, por deri atëherë duhet të ruajmë qetësinë", tha Meta.
------
Kreu socialist Edi Rama ne daljen e tij te pare publike pas perfundimit te orarit zyrtar te votimeve deklaroi se rilindja ka fituar mbi rrënimin dhe se Aleanca për Shqipërinë Europiane do ta realizojë objektivin e shpallur të mandateve.
Po ashtu Rama kërkoi që të përfundojë procesi i votimit, kur të votojë edhe votuesi i fundit që ora 19.00 e kapi në radhë.
Rama i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësit të tij, Agron Kuliçaj, që të vihen në shërbim të shtetit dhe të mos kryejnë veprime antiligjore.
"Populli sovran është shprehur me votë dhe administrimi i mëtejshëm i procesit duhet të garantohet nga e gjithë administrata zgjedhore. Policia e Shtetit të bëjë detyrën dhe vetëm detyrën", kërkoi Rama.
Kreu socialist kërkoi vijimin me normalitet të procesit të numërimit, me qëllim që Shqipëria të marrë një notë pozitive në zhvillimin e mirë të këtyre zgjedhjeve e që do t'i shërbejnë të ardhmes së saj.
----
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, foli sot pasdite për ngjarjen e ndodhur në orët e para të nisjes së procesit të votimit në qytetin e Laçit, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
“Procesi i votimit ka shënuar arritje të mëdha, por ka patur edhe ngjarje të hidhur”, tha Berisha duke i uruar shërim të shpejtë kandidatit për deputet në Laç, që u qëllua së bashku me të afërmin e tij. Ai ngushëlloi edhe një qytetar tjetër që mbeti i vdekur.
“Policia dhe prokuroria të hetojnë me përparësi absolute ngjarje dhe të nxjerrin në pah të vërtetën, përgjegjësinë e cilitdo qoftë”, deklaroi Berisha.
Ai dënoi “me përçmim qëndrimin e nekropolitikanëve, të cilët rendën me vrap t’i shprehin ngushëllime familjes, apo shërim të shpejtë të plagosurve, që kërkuan të krijojnë kapital politik me një ngjarje të hidhur”.
Sipas Berishës, ata u shprehën se e dinin mirë se kjo ngjarje do të ndodhte, ndaj kryeministri i kërkoi policisë të administrojë çdo deklaratë.
“Tensioni më kryesor është tek komisionerët dhe policët tanë. Të dalësh dhe të shohësh sharje të papërgjegjshme nuk është një akt i qytetëruar. Është akt i dëshpëruar. Dëshpërimin nuk e ke nga policia, por nga ajo që ke mbjellë”, deklaroi Berisha.
----
Fluksi i qytetarëve që i janë drejtuar qendrave të votimit gjatë orëve të pasdites ka ardhur duke u rritur ashtu siç ishin edhe parashikimet.
Komisoni Qendor Zgjedhor bëri me dije të dhënat më të fundit për pjesmarrjen në votime deri në orën 16:00, sipas së cilit kanë votuar 43,18% e zgjedhësve.
Në një konferencë për shtyp zëdhënësja Drilona Hoxhaj, shprehu shqetësimin se disa ZAZ nuk kanë përcjellë të dhënat herë pas herë në KQZ, teksa u ka bërë apel komisoneve zonale që të paraqesin të dhënat pranë KQZ.
Pjesmarrja në votime sipas KQZ:
ZAZ nr. 68 në Berat – pjesmarrja 37.51
ZAZ në Dibër- pjesmarrja 32.09%
ZAZ nr. 21 Durrës-pjesmarrja 37.96%
ZAZ nr. 23 Durës – pjesmarrja 29.95%
ZAZ nr. 55 në Fier – pjesmarrja 37.23%
ZAZ nr. 80 në Gjirokastër- pjesmarrja 36.42%
ZAZ nr. 13 Korcë – pjesmarrja 41.2%
ZAZ nr. 72 Korcë- pjesmarrja 42.16%
ZAZ nr. 13 Lezhë- pjesmarrja 30.77 %
ZAZ nr. 15 Lezhë- pjesmarrja 41.54%
ZAZ nr. 3 Shkodër – pjesmarrja 39.2%
ZAZ nr. 6 Shkodër- pjsmarrja 31.3%
ZAZ nr. 7 Shkoder – pjesmarrja 29.01%
TIRANË
ZAZ nr. 28 –pjesmarrja 42.75%
ZAZ nr. 31- pjesmarrja 42.92%
ZAZ nr. 32- pjesmarrja 443.72 %
ZAZ nr. 34/- pjesmarrja 34.52%
ZAZ nr 40- pjesmarrja 34.69 %
VLORË
ZAZ nr. 83- pjesmarrja 23 %
ZAZ nr. 87- pjesmarrja 29.37 %
-----
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar situatën e krijuar gjatë procesit zgjedhor në disa qendra votimi në vend.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i PBDNJ-së, Ligoraq Karamelo bëri thirrje se nëse nuk merren masat e duhura procesi i numërimit do të jetë me pasoja.
“PBDNJ konstaton se në zonat e minoritetit proçesi ka qenë i qetë. Konstatojmë pjesëmarrje të ulët në votim. Konstatojmë disa shkelje të rëndësishme me identitetin dhe profilin e PBDNJ në Himarë. Votojnë më shumë se një herë me kartat e votimit. Shprehim mungesën e përfaqësuesve tonë në komisionet qendrore”, theksoi Karamelo.
-----
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka publikuar raportin e ngjarjeve penale dhe incidenteve që janë regjistruar gjatë ditës së sotme.
Në deklaratën e bërë sipas tyre rezultojnë 12 incidente në gjithë vendin, ku njëri dihet me vrasje.
----
Në mesin e qytetarëve që votuan sot në zgjedhje nacionale në Shqipëri, ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi. Pas votimit ai ka postuar në rrjetin social Twitter një foto, duke treguar se ka votuar në Shqipëri. Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se situata ishte e qetë.
“Unë votova, shumë qetë ishte,” shkruan ai.Arben Gashi ka jetuar në Shqipëri për një kohe të gjatë dhe ka shtetësinë e Shqipërisë. Madje vëllai i tij, Flamur Gashi është ambasador i Shqipërisë në Bosnjë e Hercegovinë. Sot është vërejtur një fluks i konsiderueshëm i kalimit të shqiptarëve nga Kosova në Shqipëri, gjë që është një fenomen që përsëritet çdo fundjavë, e ndonjë syresh mbase edhe ka votuar, natyrisht nëse kanë nënshtetësi shqiptare.
-----
Kandidatja për deputete në Shkodër, Jozefina Topalli, theksoi sot se “në qarkun e Shkodrës pjesëmarrja në votime është më e lartë se katër vite më parë”.
Topalli u tha mediave se “kjo më bën të ndihem optimiste dhe natyrisht jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë ka një pjesëmarrje të madhe, pasi ka një përgjegjësi të madhe për të ecur përpara në katër vitet e ardhshme”, bën të ditur noa.
“Ne kemi bërë çdo përpjekje dhe ajo që kemi bërë në Shkodër gjatë fushatës është gjëja që më inkurajon më shumë, më bën të mendoj se Shkodra mund të zgjedhë edhe mandatin e tetë, por le të presim rezultatin. Unë e shoh me shumë optimizëm këtë pjesëmarrje të qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk pranojnë të kthehen mbrapa , por ata kërkojnë që të jemi civilë, qytetarë që të ecim përpara për një Shqipëri të zhvilluar, të integruar dhe shumë punësim”, theksoi Topalli.
Në tërësi, vijoi Topalli, procesi i votimit është normal. “Në të gjitha qendrat vazhdon votimi me qetësi e përgjegjshmëri të lartë për rëndësinë e madhe të kësaj dite, sepse secili është i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm dhe vetëdijshëm se sot vendoset për vitet e ardhshme të jetës së tyre dhe familjes së tyre”, u shpreh Topalli.
-----
Tiranë, Indeskonline - Tirana duket e qetë me një diell që e përballon në të dielën e votimit. Disa janë zgjuar herët që të kryejnë obligimin qytetar që të votojnë. Deri në orën 13:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dalë në votime 34 për qind e votuesve.
“Votova herët në mëngjes që të mund të shkoj në plazh tashti”, ka thënë Klodi Deçka.
Ndërkq, sipas Koalicionit Vëzhgues Vendor të zgjedhjeve në Shqipëri, i përbërë nja një grup organizatash jo-qeveritare, dalja e votuesve në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në nivel vendi ka qenë e lartë. Deri në mesditë ka votuar 23 % e trupit elektoral.
Shumica e lokaleve shohin raportimet e televizioneve për procesin zgjedhor, përderisa një pjesë po e injorojnë këtë ngjarje kulminante politike sikur të ishte e diel e zakonshme.
Gazetat nacionale kanë bërë thirrje për të dalë sa më shumë në votime përderisa ato janë pozicionuar publikisht në thirrjet e tyre për të votuar Berishën ose Ramën.
Gazeta Panorama ka raportuar për shkelje të heshtjes zgjedhore nga Rama. Ndërkaq gazeta 55 ka dalë me titullin “Voto të vërtetën, Berishën”. Ndërkaq Shekulli dhe Shqip kanë bërë thirrje për të kundërtën. “Shqip” i datës 23 qershor është botuar me titull “Rtacion?”./Indeksonline/
-----
14:32 - Zëdhënesja e PD-së Laura Vorpsi, denoi deklaratat e Edi Rames dhe Ilir Metes për vrasjen e Lacit.
Ajo tha se ata janë aq të etur për pushtet sa harruan të ngushëllojnë familjarët e viktimës.
“Politikanet e nekro politikes vrapuan te nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Lacit, një akt i paster terrorist ndaj kandidatit te Partise Demokratike, Mhill Fufi. Politikanet e nekro politikes harruan të shprehin ngushellime publike per familjen e viktimes dhe të permendin plagosjen e kandidatit te PD dhe të afërmit te tij nga persona, mbeshtetes dhe perkrahes te PS dhe aleateve të saj, disa prej te cileve shkuan nga Tirana për motive te paqarta”, ka thënë ajo.
Partia Demokratike i shpreh ngushellimet familjes se viktimes dhe i uron sherim te shpejt kandidatit per deputet Mehill Fufit dhe te afermit te tij, Kastriot Fufi.
Partia Demokratike denon me ashpersi cinizmin, papergjegjeshmerine dhe thirrjen per dhune te çiftit Rama –Meta, qe te etur per pushtet shpallin se jane te gatshem me cdo mjet te permbysin qeverine demokratike.
Ora 13.50 Ministria e Brendshme reagon për ngjarjen e Laçit
Ministria e Brendshme i konsideron të papranueshme sulmet e përseritura nga drejtues të opozites ndaj Policisë se Shtetit.
“Uniformat blu kane qenë dhe janë te vendosura në mbrojtje te Ligjit, Rendit dhe Sigurisë publike dhe të angazhuara 24 ore në 24 per mbarevajtjen e procesit zgjedhor.Policia e Shtetit po punon per zbardhjen e ngjarjes se rende te ndodhur ne Lac dhe per cdo ngjarje tjeter”, thuhet mes tjerash në këtë reagim.
Reagon Bumçi: Opozita mos bëjë rolin e gjykatësit, të ulen gjakrat
Per ngjarjen ne qytetin e Lacit ka reaguar edhe kandidati i Partise Demokratike ne Qarkun e Lezhes Aldo Bumci, i cili ka kerkuar nga opozita qe te mos beje rolin e gjykatesit dhe prokuroreve dhe te ulin gjakrat duke ia lene ne dore organeve kompetente zbardhjen e ngjarjes. Bumci ka akuzuar te majtet se po bejne perpjekje per te blere voten e qytetareve.
-----
12: 01- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka votuar në orën 10.00 qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Çajupi” , shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.
Për presidentin e vendit, kjo është një dite tërësisht e qytetarëve.
“Ftoj shqiptarët të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke votuar masivisht, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore, duke respektuar rendin në gjithë vendin e qendrat e votimit” tha Nishani.
Ai ne mënyrë të veçantë ka uruar ata që votojnë për herë të parë, duke thënë se ata në familje kane një votues për herë të parë, djalin.
“U them, paçin dorën e mbarë për fatet e vendit”, tha Nishani.
Ai ka uruar që të mos shënohen incidente. “U bëj apel qytetarëve dhe u kujtoj që partitë dhe ideologjitë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është një. Qetësi, maturi, ne votojmë për parti të ndryshme por jemi të gjithë një, shqiptarë”, tha ai
Dy liderët e së majtës, Rama dhe Meta kanë dënuar ngjarjen e rëndë në Laç. Ata bëjnë përgjegjës kryeministrin Berisha, i cili, siç thonë ata ka qenë të paralajmëruar. Rama dhe Meta u shprehen se nuk do të lejojnë që këto akte kriminale të manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Dje në mesnatë Unë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam takuar disa mbështetës të LSI, të cilët ishin sulmuar nga banditë të PD-së. Po ashtu kam takuar drejtorin e Policisë së Lezhës dhe drejtorin e Policisë së Përgjithshme, Burgaj dhe kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet nga aktet e dhunshme, por të marrë masat për mos derdhje gjaku. Policia është vënë në funksion të qeverisë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve”.
“Sali Berisha duhet ta dijë mirë këtë histori, me bandit e me gjak nuk qëndron dot në pushtet, ne jemi këtu për të shmangur incidentet. Sali Berisha nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Ai nuk do të qëndrojë në pushtet me gjak. Nuk i mbron dot banditët e tij . ne kemi marrë të gjitha masat që në të gjithë Shqipërinë të votohet”, tha Meta në Laç.
Ndërsa, Edi Rama ka thënë se drejtori i Policisë duhet të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve.
“Është një domosdoshmëri, sepse e kemi hasur këto orët e fundit një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me pjesën tjetër të vendit për ndryshim. Fatkeqësish ka pasur humbje jete të pafajshme. Por edhe tani që po flasim, policia nuk është ende në krye të detyrës dhe forca kriminale me mbështetjen e policisë së shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit”.
“Megjithatë, ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje pasi nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi të vendosur e të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë.
Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarë, për të diktuar një vullnet që është minoritar dhe nuk mund t’i kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar. E pra, edhe njëherë: Qetësi, pjesëmarrje, durim edhe në radhë të gjata. Kudo nëpër Shqipëri kemi informacion se ka derdhje të njerëzve, edhe këtu në Laç, edhe këtu në zonën e Kurbinit ne do të garantojmë votën e popullit. Ju lutem qytetarëve të dalin familjarisht në votim se nuk ka forcë që të ndalë votën e tyre”, tha Rama në Laç.
-----
11:54 - Ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, ka komentuar zgjedhjet e sotme parlamentare qe po mbahen në Shqipëri.
Sipas tij, sjelljet në votime do të jenë të rëndësishme, dhe se zgjedhjet duhet të jetë të lira dhe të ndershme.
“Shqipëria sot po voton. Sjelljet do të jetë të rëndësishme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë një shenjë dalluese e një vendi të vërtete evropian”, ka shruar Bild në Twitter.
----
11:18 - “Votova 44-ën, preka fatin! Ishte një ndjenjë kënaqësie që më pushtoi, e pandjerë më parë, ndaj edhe i ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. I ftoj të votojnë për alternativen që ata e gjykojnë si më të mirën”.
Kështu është shprehur Kryeministri Sali Berisha publikisht për mediat, menjëherë pasi ka kryer aktin e tij të votimit, në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik në Tiranë.
Duke shtuar se “këto zgjedhje janë përcaktuese për 4 vitet që vijnë, për mirëqenien, integrimin në BE dhe punësimin e tyre”.
“Edhe njëherë, uroj më së pari, ata që votojnë për herë të parë. Votë të bekuar kanë ata, sepse firmosin sot me votën e tyre, Shqipërinë e katër viteve që vijnë.
Falënderoj edhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës për një akt madhor, përgjegjësie dhe patriotizmi ndaj Shqipërisë.
Si edhe gjithë të rejat e të rinjtë, qytetarët e këtij vendi për aktin e tyre të përgjegjshëm politik dhe atdhetar që po kryejnë. Ta shndërrojmë këtë ditë, në një ditë feste dhe mirëkuptimi”, ka qenë një mesazh tjetër i lançuar nga Kryeministri Sali Berisha menjëherë pas votimit.
-----
09:05- Incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Lacit. Raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ndërsa dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur para ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’.
Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
-----
Ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur ata që do të na qeverisin katër vitet eardhshme.
Në orën 7.00 u hapën Qendrat e Votimit, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur 3.271.885 zgjedhës, shifër kjo e nxjerrë nga regjistrimi kombëtar elektronik. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 te dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli. 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
Kryetarja e KQZ-së, zonja Lefterie Lleshi hapi në mënyrë simbolike një qendër një qendër votimi në Tiranë rreth orës 07:10.
"I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu i bëj thirrje komisionerëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lenë mënjanë ndikimet politike", u shpreh Lleshi për mediat pas votimit.
Vendi është i ndarë në 12 qarqe. Të regjistruar si subjekte elektorale janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, transmeton tch.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtaret dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Po ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është realizuar me sukses shpërndarja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor. Kryetarja e këtij Komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë./Indeksonline/