E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK: Ligj vjetor për rekomandimet

05/04/2011  Raporti 2010, “monopoli” i bonove dhe licencat 3G janë shpërfillur nga autoritetet

Konkurrenca do të propozojë që vendimet të dalin në formën e ligjit në fund të vitit

Tregu i bonove të thesarit mbetet i mbyllur për qytetarët, edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar që ata të marrin pjesë në ankande pa paguar komisione tek bankat private. Ky rekomandim i dhënë gjatë vitit të kaluar nuk është marrë parasysh nga Banka e Shqipërisë, ashtu si shumë rekomandime të tjera të AK-së, të cilat nuk gjejnë zbatim. “Ka rekomandime që fillojnë e shfaqen me kalimin e viteve, por jo të gjitha janë marrë në konsideratë”, - tha kryetarja e AK-së, Lindita Lati.

Rekomandimet e AK-së

Rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës gjejnë një zbatim të paktë nga institucionet e tjera. Lindita Lati theksoi se një pjesë e mirë e rekomandimeve që Autoriteti ka dhënë për përmirësimin e Konkurrencës në tregje të veçanta nuk janë marrë parasysh. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Teknologjisë së Informacionit janë dy institucionet më të fundit që kanë shpërfillur rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, përkatësisht lidhur me tregun e Bonove të Thesarit dhe me licencat 3G. Ndërkaq, opozita ka hedhur akuza se institucionet nuk veprojnë ndaj monopoleve. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, solli si shembull tregun e telefonisë celulare, ku, sipas tij, kompanitë vazhdojnë të abuzojnë me çmimet dhe të sigurojnë norma tejet të larta fitimi. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, u shpreh se problematikat e konkurrencës në tregje ekzistojnë, por nuk vijnë më si rrjedhojë e barrierave të vendosura nga qeveria. Zoti Spaho solli si shembull tregjet e depozitimit të gazit të lëngshëm dhe të kasave fiskale, ku Autoriteti i Konkurrencës, pas hetimeve është shprehur se nuk ka abuzime me pozitën dominuese.

Ligji i ri

Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2010 në Komisionin e Ekonomisë, ajo tha se për të shtrënguar institucionet publike të zbatojnë rekomandimet e konkurrencës do të propozojë një zgjidhje. “Është ndërtimi i ligjit vjetor të konkurrencës, që në fund të vitit ne të bëjmë të gjitha rekomandimet, që të dalin në formën e një ligji, për të mos pritur ndryshime në çdo ligj specifik që kërkon vite”, - tha Lati. Autoriteti i Konkurrencës bëri gjithashtu të ditur se, pas ndryshimeve ligjore që i njohin gjobat e Autoritetit si titull ekzekutiv, më në fund është bërë vjelja e pjesshme e tre prej tyre nga Zyrat e Përmbarimit. Vitin e kaluar Parlamenti miratoi një ligj që i kthen në tituj ekzekutiv gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës. Gjobat e para që janë arkëtuar ishin vënë para disa vitesh.

Hetim në treg

Sipas kreut të AK-së, institucioni që ajo drejton po heton tregun e disa produkteve me bazë ushqimore, për të cilat në muajt e fundit është vërejtur rritje e ndjeshme e çmimeve. Autoriteti i Konkurrencës ka në proces hetimi disa tregje që dyshohen për monopole dhe abuzime, ku më kryesori mbetet ai i ushqimeve. “Tregu ushqimor i orizit, sheqerit e vajit vegjetal janë nën hetim paraprak. Autoriteti i Konkurrencës ka parë jo vetëm strukturën, por do kalojë nën analizë të gjithë faktorët që ndikojnë”, - nënvizoi Lati. Anëtarët e komisionit vlerësuan punën e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës për rritjen e transparencës së brendshme të institucionit, por edhe të tenderëve publikë, çuarjen përpara të projekteve, marrëdhëniet me institucionet e tjera, nxitjen e konkurrencës në tregje.

Marrëveshja

Komisioni i Ekonomisë miratoi gjithashtu projektligjin për ratifikimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ushtarak financiar ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë. Marrëveshja ka në fokus dhënien e kontributit konkret në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet dy vendeve, si dhe ndihmesën në ristrukturimin e Forcave të Armatosura në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›