E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia, biznesi përfitoi më shumë lehtësi nga bankat

05/04/2011  Në shkurt kredia për ekonominë arriti në 341 miliardë lekë

Kredia ka vijuar të rritet kryesisht për sektorin privat, duke bërë që bankat të ofrojnë më shumë lehtësi për ta, krahasuar me kreditimin e individëve. Të dhënat e paaudituara të Shoqatës së Bankave tregojnë se teprica e kredisë arriti vlerën e afro 496 miliardë lekëve, me një rritje prej 6 miliardë lekësh nga 490 miliardë lekë që ishte në muajin janar. Ashtu siç pritej edhe nga anketimi i kryer nga Banka e Shqipërisë tremujori i parë i vitit 2011 ka sjellë shpresat se kredia do të vazhdojë gjallërimin që kishte filluar në dy muajt e fundit të vitit 2010. Rritja e kredisë ishte më e madhe në segmentin e biznesit, ku portofoli preku vlerën e 347 miliardë lekëve në shkurt, nga 341 miliardë lekë në muajin janar, me një rritje prej 6 miliardë lekë. Ndërkohë kredia për individë njohu një rritje mjaft të lehtë dhe arriti vlerën e 148,7 miliardë lekëve, nga 148,3 miliardë lekë në muajin janar. Ritmi i rritjes ka vijuar ashtu si edhe fundi i vitit të kaluar, kur sipas guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani, është reflektuar ecuria e mirë të depozitave të sistemit bankar gjatë gjithë gjysmës së dytë të 2010-ës. “Në muajin dhjetor, rritja e kredisë për sektorin privat shënoi 10.6% në terma vjetorë. Përtej bizneseve private, të cilët kanë qenë përdoruesit kryesorë të financimit me kredi gjatë vitit 2010, sinjale pozitive vijnë edhe nga konsumatorët, kërkesa për kredi e të cilëve është rritur në tremujorin e fundit të vitit të kaluar”, - është shprehur ai. Sa i përket depozitave të qytetarëve dhe biznesit është vënë re një rënie, në kah të kundërt me zhvillimet e kredisë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, depozitat në total arritën shifrën e 823 miliardë lekëve krahasuar me janarin kur ky tregues ishte 825 miliardë lekë. Megjithatë, gjendja e depozitave të sistemit bankar ngelet e shëndoshë dhe gjithashtu sistemi vazhdon të jetë mjaft likuid.

14,6 për qind

Kredia me probleme vijon të rritet, pas uljes që shënoi në dhjetor 2010, kur ky tregues ishte 14 për qind. Gjatë shkurtit treguesi arriti në 14,6 për qind, ndërsa në janar ishte 14,5 për qind.

496 miliardë lekë

Kredia e dhënë për individët dhe bizneset në total në shkurt arriti në afërsisht 496 miliardë lekë. Rritjen më të madhe e pati kredia për biznesin, e cila arriti në 347 miliardë lekë.

823 miliardë lekë

Depozitat, në të kundërt me zhvillimet e kredisë pësuan një rënie në muajin shkurt, duke arritur në 823 miliardë lekë krahasuar me muajin janar kur ishte 825 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›