E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Ministri grek Dimas fyen drejtësinë, diplomacia shqiptare hesht

TIRANE - Aleanca Kuq e Zi reagoi pas deklaratës së ministrit të jashtëm të Greqisë, Stavros Dimas, në lidhje me dënimin me një vit burg për kreun e OMONIA-s Korçë, Naum Disho. Sipas Aleancës Kuq e Zi, ministri grek fyeu drejtësinë shqiptare, ndërsa Athina vijon të ndërhyjë në sovranitetin e vendit. Aleanca Kuq e Zi e cilëson si turp mosreagimin e diplomacisë shqiptare në lidhje me deklaratat e ministrit grek.

“Athina digjet diplomacia greke krihet. Ndërhyrja e Athinës precedent unik. Turp heshtja e diplomacisë shqiptare.”- theksohet në deklaratën e Aleancës.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Dimas e cilësoi dënimin e Naum Dishos si një zhvillim të turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Dimas i është përgjigjur deputetëve duke shprehur se këto zhvillime janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi sipas ministrit të Jashtëm, KE-ja shpeshherë ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Dimas nuk lë pa përmendur as Progres Raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ku thuhet se standardet evropiane në drejtësi janë ende në fazë të hershme. Në fund të përgjigjes së tij, Dimas deklaron se Ministria e Jashtme Greke do të vijojë të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet e më pas do të përcaktojë qëndrimin zyrtar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›