E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për gjelbërimin e kryeqytetit

Lidhur me çështjen e pronarëve të kësaj sipërfaqeje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se gjithçka do të rregullohet sipas ligjit dhe se në asnjë rast nuk do të cenohet e drejta e pronës. “Do të zgjidhet sipas ligjit dhe asgjë nuk do të paragjykojë të drejtat e pronarëve, në asnjë cep të qytetit, duke përfshirë edhe Planin Urbanistik, i cili në qendër të tij do të ketë respektimin e të drejtave të pronarëve”, u shpreh Basha për mediat.

”Por ndërkohë nuk mund të rrimë e të shikojmë se si pjesë të tëra të hapësirave publike degjenerojnë nga dita në ditë. Ju e mbani mend, kjo ka qenë një zonë e ndaluar për një kohë të gjatë. Kjo kuotë s’ka ekzistuar, sepse këtu ka qenë një gropë famëkeqe. Edhe pas mbylljes dhe rehabilitimit të pjesshëm, situata nuk ndryshoi për vite me radhë. Tani është e rëndësishme, që brenda mundësive tona, në çdo hapësirë të ndërmarrim hapa që do të përmirësojnë fizionominë qytetare të lagjeve tona, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, do ta bëjnë qytetin më të jetueshëm, më të mirë, ku të gjejnë hapësira çlodhëse të gjithë qytetarët e Tiranës dhe kushdo që vjen për të shijuar këtë qytet”.

Bashkia e Tiranës, me fondet e saj, nisi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj hapësire ku do të mbillen rreth 150 pemë, vendosen 66 stola, ndriçim si dhe do të vendosen 2 çezma. Po kështu, e gjithë pjesa rrethuese e objektit të Kultit të Bektashinjve do të bëhet me kangjella, sikundër do të sistemohet edhe parkimi aktual që ndodhet në këtë sipërfaqe.

“Projekte të mëdha po planifikohen në kuadër të Planit Urbanistik dhe projekteve strategjike, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave të konkurrimit, por ndërkohë ne do të ecim me projekte të tilla, hapa të tillë të vegjël, por domethënës , për të përmirësuar cilësinë e jetës në të gjithë qytetin”, u shpreh Basha.

Ai prezantoi edhe projektin e rikualifikimit urban të disa zonave në Tiranë, si në rrugën “Ali Demi” dhe në zonën e “Don Boskos”. Në këtë të fundit, në një sipërfaqe prej 2 400 metra katrorë do të mbillen pemë, do të vendosen 55 stola, do të ketë ndriçim dhe çezme uji. Sipërfaqja që do të rikualifikohet në zonën e “Ali Demit” i përket një blloku banimi dhe ka një sipërfaqe prej 14 mijë metra katrorë. Edhe në këtë hapësirë do të mbillen rreth 60 pemë dhe do të vendosen 40 stola.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-03-03 14:44
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›