E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK proteston kundër Serbisë: Lironi të arrestuarit e Preshevës

Aleanca Kuq e Zi solidarizohet me shqiptarët e Preshevës e Maqedonisë përmes një proteste të organizuar para Ambasadës Serbe, në Tiranë.

Me moton Nga Presheva në Maqedoni, të gjithë jemi kuq e zinj, aktivistët dhe simpatizantët e AK, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa, kanë protestuar kundër arrestimit më 4 maj nga autoritetet serbe të 8 shqiptarëve të Preshevës.

Gjatë protestës, përfaqësuesit e AK i bënë thirrje Serbisë që të lirojë të burgosurit politikë, në mënyrë që të mos përballet me 10 mijë shqiptarë.

8 shqiptarë nga lugina e Preshevës u arrestuar më 4 maj në Bujanovc, me akuzën për krime lufte gjatë vitit 2001.

Ndërsa ministri serb Ivica Daçiç, ka deklaruar pas kthimit në Kosovë të Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte ndaj serbëve dhe joshqiptarëve në Kleçkë, se për sa kohë do të jetë në krye të Ministrisë së Brendshme, do të arrestojë secilin që ka bërë krime lufte dhe se Prishtina, për këtë vendim të turpshëm, nuk do të presë shumë gjatë për përgjigjen. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›