E Diel, 1 Nëntor 2026

AK zhvillon takim me personat me aftësi të kufizuara. Spahiu: Nuk jeni ju me aftësi të kufizuara, por kryeministri

Aleanca KuqeZi ka zhvilluar një takim me personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për vizionin e AK mbi politikat mbështetëse dhe integruese për këtë kategori të shoqërisë, e cila ndër vite është përballur me problematika të shumta, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme. Me dhjetëra përfaqësues të invalidëve të punës, të verbrit, para- dhe tetraplegjikët ishin të pranishëm në takimin e organizuar nga kuqezinjtë.

Aleanca KuqeZi në vizionin dhe programin e saj nuk ka dhe nuk do të ketë barriera për personat me aftësi të kufizuar, ndaj nga sot në strukturat e kësaj partie do të ekzistojë një departament i posaçëm për personat me aftësi të kufizuar, i cili do të drejtohet pikërisht nga këta individë dhe që nuk do të jetë thjesht një organikë politikbërëse, por një departament me të gjithë elementët që duhen për të krijuar një ambient sa më integrues për personat me aftësi të kufizuar, tha kreu i AK, Spahiu.

Kreu i AK tha se politika 22 vjeçare, çdo katër vjet kur afron fushata elektorale e zgjedhjeve nuk përton të lëshojë premtime për këtë shtresë të vuajtur të shoqërisë dhe pas marrjes së votës ata harrohen për së gjalli.

Të gjithë janë të aftë të kontribuojnë në organizmin e një shteti social me të drejta të barabarta për qytetarët e tij, edhe kjo shtresë e përvuajtur e shoqërisë duhet dhe do të japë kontributin e saj në përmirësimin  e cilësisë së jetës për bashkëvuajtësit e tyre, deklaroi Spahiu.

Nuk jeni ju persona me aftësi të kufizuar, por është kryeministri i vendit, i cili me dashakeqësi iu ka harruar dhe lënë pas dore, pasi ai kujton se fatkeqësia juaj ju pengon të shihni të vërtetën. JO, ju jeni shumë të qartë dhe aspak të verbër ndaj tradhtive që Sali Berisha ka bërë ndaj jush. Ju jeni të aftë të shikoni të ardhmen e merituar për ju dhe shoqërinë tonë më shumë se sa Sali Berisha dhe jeni me të shpejtë se sa kryetari i opozitës i cili qëndron gjatë gjithë kohës në Twitter, tha Spahiu.

Ne nuk do ta falim tradhtinë që ju është bërë ju në këto 22 vite. Sakrifica juaj do të shpërblehet në programin e Aleancës KuqeZi i cili do të ribëjë Shqipërinë. Programi ynë nuk është diskriminues ndaj asnjë shtrese të shoqërisë prandaj në sot shpallim zyrtarisht ambicien tonë për përfshirjen tuaj në strukturat drejtuese të Aleancës KuqeZi. Ju nga sot nuk jeni vetëm mbështetës të AK por jeni anëtarë me të drejta të plota, për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, përfundoi fjalën e tij kryetari i lëvizjes politike Aleanca KuqeZi.

Në përfundim Spahiu shpërndau dhjetëra karta anëtarësie për personat me aftësi të kufizuar, të cilët garantuan angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në rrugëtimin kuqezi të Aleancës KuqeZi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›