E Diel, 1 Nëntor 2026

AKADEMIA QE NUK DO TE JETE!

Në vitin 1936, në shtypin shqiptar, Nonda Bulka protestonte për atë që shkruante "Nouvissima Enciclopedia Italiana" për Shqipërinë: "Albania: krahinë turke… flitet gjuhë frigje, o greko-latine. Raca, klima, besimi të përziera. Natyrë kryengritëse për Ballkanin, shkëndijë frike për Europën!".

Atëherë Italia fashiste i shpallte botërisht planet e saj për ta "qytetëruar" Shqipërinë. Më 1939, Shqipëria pushtohet. Në vitin 1986, Akademia e Shkencave e Serbisë harton "Memorandumin" famëkeq, ku deklarohej: "Gjenocidi fizik, politik, juridik dhe kulturor i popullatës serbe në Kosovë e Metohi përfaqëson disfatën më të madhe të Serbisë ndër luftërat e saj të çlirimit, që ajo ka bërë që nga koha e Orashakut më 1805, deri në kryengritjen e vitit 1941". Si shpagim të këtij gjenocidi të aluduar, në vitin 1990 zhbëhet statusi i autonomisë së Kosovës dhe fillon regjimi ushtarako-policor në krahinë.

Pak ditë më parë, Akademia e Shkencave e ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) boton Enciklopedinë e parë të këtij shteti, akoma pa një emër të gjithëpranuar zyrtar. Aty thuhet se shqiptarët qenkan "njerëz mali" e "kaçakë", që u paskan rënë në qafë sllavo-maqedonasve autoktonë, duke i përzënë nga banimet e tyre që nga shekulli XIX e këndej. Ja edhe një rast tjetër se si fabrikohet shkenca në shërbim të politikës!

Nëse qëllimet politike të Italisë së Musolinit dhe të Serbisë i dimë, cilat janë ata të sllavo-maqedonasve? Më modeste, por po aq të rrezikshme ndaj shqiptarëve sa dy shembujt e mësipërm. Siç vërehet shpesh, IRJM është një shtet në kërkim të identitetit. Duke mos u ndjerë mirë me realitetin shumetnik të popullit maqedonas; me faktin që ky popull ka afërsi të mëdha kulturore me kombet përqark, në radhë të parë me bullgarët e shqiptarët, por edhe me turqit, serbët, vllahët e grekët; me mungesën e një historie të mirëfilltë maqedonase, për vetë faktin se ngjarjet e ndodhura në territorin e republikës janë pjesë e rrëfimeve historike të kombeve përreth; me refuzimin ndërkombëtar që i bëhet emërtimit të shtetit, që do të thotë një refuzim ndaj identitetit të përfytyruar të elitës sllavo-maqedonase; ajo çfarë bëjnë akademikët është që, me kokëfortësi u përvishen të gjithë këtyre fakteve për të krijuar një realitet virtual të IRJM-së si shtetin e kombit maqedonas.

Nisur nga kjo premisë jashtë-shkencore, përdhoset gjithçka që ka të bëjë me historinë dhe kulturën e popullsisë tjetër më të madhe pas asaj sllavo-maqedonase, shqiptarët. Është po kjo Akademi që ka kërkuar disa vite më parë një "korrigjim" të kufirit të IRJM-së me Shqipërinë, me qëllimin e përfitimit të Lebesraum-it të spastruar që ajo pretendon për kombin sllavo-maqedonas!

Çfarë ndodh në një shtet shumetnik ku teksti identitar i Enciklopedisë, pra teksti themelor që përmbledh dijet nga shumë fusha shkencore dhe që synon të përmbajë kujtesën dhe trashëgiminë e popullit, e trajton një pjesë të konsiderueshme të këtij të fundit si një mish të huaj? Për më tepër kur ky tekst botohet në kohën kur marrëdhëniet ndëretnike po tregojnë shenja acarimi dhe kur në marrëdhëniet me jashtë IRJM po ndjehet e refuzuar dhe e kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare? Besoj se e merrni me mend. Në Shkup nuk i kanë nxjerrë akoma mësimet e vitit 2001.

IRJM është një shtet shumetnik dhe të paktën elitat shkencore dhe kulturore të këtij vendi duhet ta pranojnë këtë fakt dhe ta pasqyrojnë me veprimtarinë dhe botimet e tyre dhe madje t‘ua mësojë edhe politikanëve. Vetëm kështu mund të parashikohet një e ardhme për këtë shtet ku të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë. Enciklopedia e Akademisë së Shkencave të IRJM për nga mënyra se si ka trajtuar trashëgiminë dhe realitetin e sotëm shqiptar të republikës, përbën një turp. Një turp në radhë të parë për statusin shkencor të Akademisë. Në radhë të dytë një turp dhe skandal për një shtet që pretendon të radhitet krahas vendeve të tjera europiane. Në radhë të tretë një turp edhe për faktorin politik dhe shoqëror shqiptar në këtë republikë, por edhe për Tiranën e Prishtinën, që kanë lejuar që tekste të tillë të botohen me mbështetje zyrtare. Janë të kota protestat dhe justifikimet sado të fuqishme që shqiptarët mund të bëjnë pas botimit të tekstit, në kohën kur ata duhet t‘i kishin parandaluar! Fakti që një institucion si Akademia e Shkencave merr guximin ta realizojë një botim të tillë skandaloz për shqiptarët e republikës dhe ata jashtë saj, tregon që në përllogaritjet e tyre "shkencore" nuk marrin në konsideratë ndjenjat dhe reagimet e shqiptarëve, se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është bërë akoma fryma sipas së cilës duhet të funksionojë IRJM.

Akademia e Shkencave me botimin e Enciklopedisë ka ndikuar edhe më në dobësimin e mirëbesimit dhe ka këputur disa nga fijet me të cilat po endet pëlhura e hollë shtetformuese e IRJM. Po të ecet në këtë rrugë të përdhosjes së shqiptarëve dhe të përjashtimit të tyre jo vetëm nga institucionet, por edhe nga trashëgimia historike e kulturore e këtij shteti riosh, nuk është habi nëse shumë vite më vonë Enciklopeditë e tjera do të shënojnë në zërin "Maqedoni": "Shtet koniunktural i krijuar në Ballkan pas Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, i cili sot nuk ekziston". Dhe në një rast të tillë, që nuk e dëshirojmë, nuk ka për të qenë as Akademia e Shkencave e IRJM dhe tekstit të sapobotuar të Enciklopedisë së parë historianët e huaj do t‘i qasen si një rast për të studiuar përpjekjet e dështuara për kombformim në Ballkan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›