E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri hyri nga porta e madhe

Dita e parë e ministrit është dita e shumëpritur prej nëpunësit të bardhë të administratës së një shteti. Për shumë e shumë arsye, të cilat për efekte kohe dhe vendi nuk mund të jenë pjesë e një shkrimi gazete, por duke veçuar vetëm një, atë të ndryshimit të ritmit dhe bioritmit të jetës së tij aparatçike, duket se pritja është e përligjur prej çdo njeriu si të tillë. Nëpunësi kërkon të shkundet nga apatia dhe rutina e sjelljes së tij të kahershme burokratike. Madje, edhe më i paafti dhe më dembeli, për forcën e një zakoni të ndryshëm nga ai i mëparshmi. Përgjithësisht pritja vjen me një lloj stoicizmi dhe qetësie, që iu garanton statusi i një nëpunësi civil, duke përjashtuar këtu, në të rrallë, ndonjë që dorëhiqet, pa mbërritur ende ministri i ri, apo që e di që "e ka bërë baltë" prej kohësh.

Aq më shumë dita e parë e ministrit është e dëshiruar, kur kjo vjen si produkt i një situate dhe viti elektoral. Madje, dëshira për të dalë nga koraca dhe manteli gogolian i nëpunësit, fillon dhe artikulohet pas përgjumjesh dhe letargjish, që në vigjilje të viteve elektorale sentenca të tilla, si: "Kush e ka mendjen për punë" apo "ja sa të mbarojë viti i zgjedhjeve" dhe vjen e kulmohet me kohën e pritshme të ndërrimit të drejtimit qeverisës, brenda a jashtë mazhorancave.

Me gjithë "përpjekjet" e nëpunësit për të dalë nga gjendja "e entuziazmit elektoral", ai mbetet në një stanjacion dhe pritje të justifikueshme. Shumëkush e quan këtë një periudhë konservimi burokratik të nëpunësit. Stafe dhe drejtime të tëra, të drejtuara me dorë të hekurt, me disiplinë force apo liberalizëm të kulluar, në periudhat elektorale e kanë fort të vështirë të ruajnë një regjim intensiv pune dhe marrëdhënie të ndërsjella mes tyre. Aq më shumë kur "macja duhet lidhur që herën e parë".

Kush do të jetë, si do të jetë drejtimi i ri? Kush e njeh më shumë të përfolurin si ministër të mundshëm? Si është sjellë në filan vend ku ka punuar? Kë ka të afërm, nga fshati i tij i lindjes dhe deri te lidhjet me të njohurit e tu, me hamendësimet që miku i mikut tim është dhe miku im, zakonisht mbeten jashtë zyrave, nëpër kafenera dhe mjedise kafenesh. Hamendësimet nëpër kafene dhe thashethemet marrin fund ditën që troket në derë ministri i ri.

Pak të njohur, të panjohur, që etiketojnë veset e tij dhe sjelljet e rinisë, të studentllëkut a shkollës, marrin fund që në prezantimin apo sjelljen e tij në ditën e parë.

Dhe ministri i Arsimit dhe i Shkencës, deputeti Myqerem Tafaj, ditën e tij të parë të punës e filloi duke hyrë … në derën e madhe, në portën kryesore të ministrisë, ku ka hyrë prej kohësh në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, pa u bërë ende ministër. Në atë portën dykanatëshe nga Rruga Durrësit, ku hyjnë shpesh nëpunësit e ministrisë. Pikërisht, përmes saj ku nëpunësja e shërbimit rreket t‘u kthejë përgjigje dhjetëra studentëve dhe prindërve të paqartë për rezultatet e Maturës Shtetërore. Dhe dikush çuditet, si nuk ndodhi "ndonjë skandal", që njerëzit t‘i lëshoheshin me pyetje e hakërrima, ndoshta, deri dhe ta zinin për xhakete ministrin e ri.

Një sjellje e çuditshme për mjaft prej të brendshmëve të kësaj ministrie, që deri dje ishin mësuar t‘i shihnin ministrat të hynin nga shkallët e pasme të ndërtesës, "nga ato shkallë që nuk mund të përdoren për nëpunësit…!", e të ndjekur prej shpurash shoferësh e shoqëruesish.

Ky ministri i ri sikur të jetë një i tërë me dhjetëra hallexhinj e njerëz, nxënës e studentë, hyri që në ditën e tij të parë nga dera e madhe e të gjithëve. Madje, duke përshëndetur disa që po qëndronin në holl. Duke përskuqur edhe më shumë nëpunësen e shërbimit e duke lënë gojëhapur atë të marrëdhënieve me publikun.

Sigurisht që askush nuk e pengon, jo vetëm ministrin, por askënd nga punonjësit e MASH-it, të përdorë hyrjen nga Rruga e Durrësit apo ajo e Kavajës, kësisoj edhe ministrin Tafaj këtej e tutje, por në ditën e tij të parë ai hyri prej andej ku hynte si kohë më parë, kur ishte pedagog në universitetet jashtë vendit dhe këshilltar i Kryeministrit dhe ku hyjnë, studentë e nëpunës, mësues e prindër, pikërisht nga porta e madhe.

Ky është një ogur i mirë për të gjithë që do përfitojnë shërbim në këtë ministri e më gjerë. Në emër të transparencës, ai sapo u ul në karrigen e ministrit, kërkoi të mësojë për të gjithë punonjësit, mjediset e punës së tyre dhe punët që kryejnë. Madje, dhjetëra studentë dhe përfitues të shpallur si të tillë nga APRIAL, morën zgjidhjen e duhur dhe brenda ditës. I përfituan diplomat studentët e Juridikut dhe morën edhe dy ditë kohë për t‘u regjistruar në Institucionet e Arsimit të Lartë studentët e Vlorës e të mbarë vendit. Zaten, takimi pasues me drejtuesit e arsimit të rajoneve dhe qarqeve, ishte një hop cilësor që duket se do pasohet nga aksione të mëdha konkrete zhvillimi në sistemin arsimor.

Ndaj dita e parë e ministrit të ri të Arsimit është pritur nga shumëkush si një shenjë e dallueshme ndryshimi, e atij ndryshimi që ka nevojë më shumë për atë vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›