E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Fierit merr 6 milionë euro kredi

Bashkia e Fierit, Drejtoria e Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime dhe përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi financiar. Marrëveshja është bërë për një kredi të madhe që shkon fillimisht në afro 6 milionë euro për të arritur deri në fazën përmbyllëse të investimit, që në total kap shifrën e 10 milionë eurove. Kredia është me interesa të ulëta dhe do të merret nga Ujësjellësi dhe Bashkia Fier për kryerjen e ndërtimit të një rrjeti të ri furnizimi me ujë për të gjithë komunitetin e qytetit dhe të rrethinave. Shuma e marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillimin jo vetëm që do të mundësoj ndërtimin total të rrjetit të brendshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, por do të sigurojë edhe furnizimin me ujë 24 orë për qytetarët e Fierit. Aktualisht këta të fundit arrijnë të marrin ujë vetëm falë përdorimit të pompave të fuqishme, që të shumtën e rasteve janë vendosur edhe në tubacionin kryesor të qytetit. Fenomen shqetësues për qytetin e Fierit dhe të gjithë vendin është bërë edhe rritja e masave të depozitave të ujit, të cilat po vënë në rrezik tarracat e pallateve. Drejtuesit e Ujësjellësit kanë nisur aksion për lidhjen e kontratave të reja me të gjithë konsumatorët. Paralel me këtë proces po shkon edhe kompletimi me sahat matës të konsumit të ujit për të gjithë qytetarët. Deri në fund të këtij viti do të vendosen 1500 sahatë të rinj, ndërkohë që deri në muajin mars të vitit të ardhshëm ky numër do të dyfishohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›