E Diel, 1 Nëntor 2026

AKEP: 110 mijë familje me internet broadband

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vlerëson se deri në fund të vitit 2010 ishin 110 mijë familje shqiptare me akses në internet me brez të gjerë, ose 13.7% e totalit. Gjithnjë sipas AKEP-it, në shërbimin e internetit rezultonin të pajtuar edhe rreth 10 mijë biznese. Numri i linjave fikse me brez të gjerë ka arritur në 3.7 për 100 banorë, nga 2.5 që ishin në vitin 2009. Në penetrimin e linjave fikse Shqipëria ngelet shumë mbrapa në raport me Bashkimin Europian, ku ka 24.8 linja fikse për 100 banorë. Sipas vlerësimeve të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, përdorimi i internetit në Shqipëri është në nivelin 43.5%, në nivele të përafërta me vendet e tjera të Rajonit, por larg mesatares prej 67.3% të Bashkimit Europian. Tregu i internetit vitet e fundit është rritur dhe diversifikuar ndjeshëm. Përveç Albtelecom dhe operatorëve alternativë, interneti ofrohet edhe nga operatorët celularë, qoftë për përdorim nëpërmjet aparateve të lëvizshëm apo për përdorim në kompjuterat personal. Sipas AKEP-it, deri në fund të vitit 2010 ishin rreth 1.2 milionë shqiptarë që përdornin internetin përmes kompanive celulare. Po t’i referohemi shërbimit të internetit me lidhje fikse, Albtelecom zotëron 63% të tregut për nga numri i pajtimtarëve, me rreth 70 mijë lidhje. Albtelecom ka rritur numrin e abonentëve me rreth 35% gjatë vitit 2010. Por në vitet e fundit konkurrenca është rritur ndjeshëm edhe falë investimeve të shumta të operatorëve alternativë. Këto kompani së bashku zënë 37% të tregut. Abcom është e para mes operatorëve alternativë me 13 mijë pajtimtarë apo 12% të totalit. Vijojnë “Primo”, “Tring”, “Abissnet” dhe “Nisatel”, ndërsa operatorët e tjerë alternativë zënë pjesë shumë të vogla tregu.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›