E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionet e HEC-ve, 20 kontrata rrezikojnë anulimin

Rreth 20 kontrata koncesionare të energjisë mund te anulohen, pasi projektet e tyre kane mbetur në letër, ka lajmëruar dje ministri i Ekonomisë, Nasip Naço. Nga 110 kontrata të miratuara për ndërtimin e rreth 300 objekteve energjetike, ministri Naço thotë se nuk ka më tolerim për këto kompani. Në të njëjtën linjë duket se është edhe BERZH. Drejtori i saj për Shqipërinë, në një intervistë për “Vizion Plus”, thotë se kriza ekonomike globale ka stepur investitorët, por e rëndësishme është që të merren masa konkrete ndaj atyre që nuk kanë realizuar projektet. Por një pjesë e koncesionarëve në energjetikë kërkojnë nga qeveria rishikimin e ligjit. Ata duan privatizim dhe jo koncesion të hidrocentraleve që do ndërtojnë. Sipas tyre, një formë e tillë do të stimulojë kreditimin afatgjatë të bankave ndaj këtij sektorit. Gjatë një konference mbi investimet në sektorin hidroenergjetik në Shqipëri, organizuar nga BERZH, kryeministri Sali Berisha tha se koncesionet ishin një sukses. Me tej kreu i qeverise tha se janë investuar rreth 650 milionë euro në ndërtimin e hidrocentraleve në vend. Sipas tij, Shqipëria i ka kapacitetet për ndërtimin e 443 heceve. Por përtej mundësive që ofron vendi dhe kontratave të miratuara në vitet e fundit, deri më tani në Shqipëri vetëm 6 prej tyre janë në zbatim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›