AKEP: Gati tenderi për 3G-në e dytë në shtator
Çelet në shtator tenderi për licencën e dytë 3G. Të treja kompanitë e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri do të mund të konkurrojnë për licencën e dytë 3G. Në këtë mënyrë, ato duhet të dërgojnë dokumentet përkatëse deri në datën 5 shtator 2011. Kjo është data e fundit e pranimit të ofertave për marrjen e licencës tjetër 3G, pavarësisht se zyrtarizimi do të bëhet ditë më vonë. Sipas AKEP, çmimi minimal i pranueshëm për ofruesit do të jetë shuma prej 12,500,000 euro dhe sigurisht që fitues i tenderit do të jetë kompania që do të ofrojë shumë më të madhe. Duke iu referuar rregullores së tenderit, parashikohet se vlera e ofertës do të zërë 90% të totalit të pikëve, ndërsa koha e mbulimit me rrjet do të zërë vetëm 10 pikë, nga 100 të mundshmet. Edhe pse qeveria me çeljen e kësaj gare publike tenderimi ka synuar t’i japë prioritet sigurimit të të ardhurave ndaj liberalizimit të tregut, dhënia e licencës së dytë 3G me garë publike është kundërshtuar nga operatorët celularë, pasi ata kërkojnë liberalizimin e plotë dhe dhënien e katër licencave të mundshme për të gjithë operatorët celularë. Sipas procedurës së tenderit, paraqitja e ofertave bëhet duke dorëzuar ofertat me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura ne zarf, sipas përcaktimeve të këtij dokumenti tenderi. AKEP, sipas kërkesës, pajis ofertuesit me një dëshmi, ku shënohen data dhe ora e pranimit të ofertës. Oferta dhe të gjithë dokumentet e korrespondenca që lidhet me ofertën, e shkëmbyer ndërmjet Ofertuesit dhe AKEP, duhet të përgatiten në gjuhën shqipe ose angleze. Në rast të ofertave të paraqitura nga një bashkim investitorësh, oferta duhet të shoqërohet me Prokurën/autorizimin me Shkrim për Personat e Autorizuar që do të përfaqësojnë bashkimin gjatë procedurës së tenderit. Ofertuesit duhet të dorëzojnë vetëm ofertën të futur në një zarf jotransparent, të mbyllur, të vulosur dhe firmosur me emrin dhe adresën e Ofertuesit dhe të shënuar: “Ofertë për marrjen e “1 (një) të drejte përdorimi në brezat 1935 - 1950 MHz - çiftuar me 2125 - 2140 MHz dhe 1905-1910 MHz. Por, nga ana tjetër, gara për ofertën e dytë 3G vjen pa u mbushur ende viti nga dhënia e licencës së parë, e cila u fitua nga “Vodafone Albania” me një ofertë prej 31.4 milionë eurosh. Në garën e një viti më parë për licencën e parë 3G, oferta e dytë e paraqitur, ajo e “Eagle Mobile”, ishte shumë larg ofertës së “Vodafone” dhe afër vlerës prej 12.5 milionë eurosh, shuma minimale e përcaktuar për kualifikimin e ofertave.