Miratohet transferta e numrave, qytetarët zgjedhin operatorin pa ndërruar numrin
Tregu i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti arriti një rritje vjetore prej 6.5%. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se fillimi i këtij viti ka nisur me ritme të vakëta për këtë treg dhe rritja e regjistruar është poshtë rritjes prej 10% të vitit 2009. Sipas të njëjtave burime mësohet se ritmet më të mira të rritjes vazhdon ti ketë aktiviteti i jetës, që për tremujorin e
parë u rrit me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë mësohet se rritja e sektorit të sigurimit të jo-jetës nuk shkoi më shumë se 6.3%. Por nëse shoqëritë e sigurimit arrijnë të ruajnë rritje në volume, numri i kontratave është në rënie. Krahasuar me një vit më parë numri i policave të sigurimit ra me 16%, çka është një sinjal shqetësues. Zhvillim i rëndësishëm gjatë këtij fillim viti është rritja e masës së dëmeve të paguara nga shoqëritë e sigurimit. Totali i dëmeve të paguara për tre muajt e parë njohu një rritje vjetore me 41%. Sidoqoftë, raporti dëme-prime ngelet në nivele të ulëta dhe në fund të marsit ishte në masën 22.5%.
Statistika
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, viti 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm ritmet e zhvillimit të shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7.889 milionë lekë, ose 11.28 për qind më shumë se në vitin 2008. Gjatë vitit 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 755,669 duke shënuar një rritje prej rreth 9.83 për qind, krahasuar me një vit më parë. Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90.83 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.17 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47.31 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 52.69 për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar e ka ruajtur tendencën pozitive që e ka karakterizuar përgjatë gjithë vitit 2009.
Raporti
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thotë se kompanitë e sigurimeve në Shqipëri paguajnë pak dëme në raport me të ardhurat që marrin nga sigurimet e detyruara. Në vitin 2008, raporti dëme-prime për sigurimet motorike, që përbëjnë pjesën dërrmuese të tregut, ishte 30 për qind. Edhe në vitin 2009, sipas AMF nuk pritet ndonjë rritje e lartë e këtij treguesi. Raporti dëme-prime ne Shqipëri është 2.5 herë më i ulet nga mesatarja evropiane. Ndërsa në vendet e rajonit ky tregues është mbi 50 për qind. Raporti i ulët dëme/prime pranohet edhe nga vetë kompanitë e sigurimeve, të cilat thonë se kjo i dedikohet kryesisht faktit se tregu i sigurimeve në Shqipëri është ende i ri dhe i pazhvilluar. Autoriteti thotë se në këto kushte ka ndërmarrë një sërë nismash për të përmirësuar tregun. Tregu i sigurimeve në Shqipëri përllogaritet në rreth 70 milionë dollarë në vit, duke patur treguesin më të ulët për frymë në rajon, gati 20 dollarë, kur në vendet e tjera, edhe ato të rajonit ky tregues është disafish më i lartë. Ndërkohë vetëm ne vitin 2009, shifra zyrtare e aksidenteve me automjete u rrit 20 për qind, duke shënuar 1316, përkundrejt 1096 në vitin 2008. Por një pjese e konsiderueshme e tyre nuk përfundojnë në dyert e kompanive ku janë siguruar duke u zgjidhur me pagesa nën dorë nga vetë pronarët e makinave që konsiderohen shkaktarë të aksidentit.
Tregu i sigurimeve i rikthehet rritjes
Tregu i sigurimeve në muajin shkurt i është rikthyer rritjes. Statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e primeve të shkruara bruto për dy muajt e parë të vitit 2010 ishte 1.38 miliard lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duket kështu se rënia vjetore e shënuar në muajin janar ishte alarm i rremë për një rënie të tregut të sigurimeve, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë. Në dy muajt e parë të vitit 2010, rritjen më të theksuar e shënoi aktiviteti i jetës, që shënoi rritje të vlerës së primeve me afro 25%, ndërsa pjesa tjetër e tregut të sigurimeve u rrit me rreth 9%. Vazhdon të rritet me ritme më të larta pagesa e dëmeve. Për dy muajt e parë të vitit 2010, shoqëritë e sigurimeve paguan 314 milion lekë dëme, me një rritje prej më shumë se 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Megjithatë, raporti dëme-prime ngelet ende në më pak se 23%, nivel ky shumë më i ulët krahasuar me mesataren në evropiane.
Ornela Manjani
Last Updated on E Marte, 27 Prill 2010 08:32